RTV AHIRETI
ArtikujLajmeRajon dhe Botë

Turqia, Izraeli dhe Greqia në “Trekëndëshin e Tukididit”!

turqia,-izraeli-dhe-greqia-ne-“trekendeshin-e-tukididit”!

Rivalitetet po ndërthuren në një ekuacion të ri strategjik rajonal

Murat Yeşiltaş, Daily Sabah

Rivaliteti mes Turqisë, Izraelit dhe Greqisë, po kalon përtej tensioneve të veçanta dypalëshe dhe po shndërrohet në një përballje më të gjerë strategjike, që përfshin Egjeun, Mesdheun Lindor dhe Levantin.

Për një kohë të gjatë, këto marrëdhënie janë analizuar veçmas; tensionet Turqi-Izrael përmes konfliktit palestinezo-izraelit dhe luftës në Gaza, rivaliteti Turqi-Greqi përmes mosmarrëveshjeve në Egje, Qipro dhe Mesdheun Lindor, ndërsa afrimi Izrael-Greqi si një bashkëpunim dypalësh.

Por zhvillimet e viteve të fundit kanë krijuar një realitet më kompleks. Ndryshimi i ekuilibrit të fuqisë, zgjerimi i kapaciteteve ushtarake, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes, partneritetet e reja të sigurisë dhe ndryshimet në Siri po i lidhin gjithnjë e më shumë këto tri marrëdhënie.

Për këtë arsye, ato mund të përshkruhen më saktë me konceptin e “Trekëndëshit të Tukididit”, në vend të “Kurthit të Tukididit” të Graham Allisonit.

Sepse kuk kemi thjesht një fuqi në ngritje që përballet me një fuqi ekzistuese, por tri shtete me interesa dhe perceptime të ndryshme, të cilat po ndikojnë te sjellja strategjike e njëri-tjetrit.

Zanafilla e këtij transformimi lidhet me vitin 2010 dhe përkeqësimin e marrëdhënieve Turqi-Izrael pas incidentit të Mavi Marmarasë. Ndërsa u ftohën raportet Ankara-Tel Aviv, Izraeli dhe Greqia nisën të zhvillonin lidhje më të ngushta në energji, diplomaci dhe mbrojtje.

Në të njëjtën kohë, Turqia u shndërrua në një aktor më autonom dhe më aktiv në Lindjen e Mesme dhe Mesdheun Lindor. Pas vitit 2016, Mesdheu Lindor u bë një nga qendrat kryesore të konkurrencës.

Zbulimet energjetike, zonat detare, çështja e Qipros dhe rivaliteti gjeopolitik u ndërthurën midis tyre. Bashkëpunimi mes Greqisë, Izraelit dhe administratës greko-qipriote u thellua, ndërsa Turqia forcoi praninë e saj detare dhe aktivitetet energjetike dhe në vitin 2019 nënshkroi marrëveshjen për zonat detare me Libinë.

Megjithatë, periudha 2021-2023 tregoi se këto tensione nuk janë të destinuara të përshkallëzohen automatikisht. Turqia ndërmori një politikë normalizimi me aktorët rajonalë, përfshirë Izraelin, ndërsa edhe marrëdhëniet me Greqinë hynë në një fazë më të qetë diplomatike.

Mosmarrëveshjet themelore mbetën, por palët treguan se rivaliteti mund të menaxhohej përmes diplomacisë. Kjo periudhë dëshmoi se mënyra se si shtetet e perceptojnë fuqinë e njëri-tjetrit, është po aq e rëndësishme sa vetë fuqia materiale.

Pas vitit 2023, situata ndryshoi përsëri. Lufta në Gaza shkaktoi një përkeqësim të fortë të marrëdhënieve Turqi-Izrael, por Gaza nuk është shpjegimi i vetëm. Siria është bërë një faktor i rëndësishëm për të dyja palët.

Për Turqinë, ajo lidhet me sigurinë kombëtare dhe ndikimin rajonal, ndërsa për Izraelin me sigurinë kufitare dhe lirinë e veprimit ushtarak.Në të njëjtën kohë, bashkëpunimi Izrael-Greqi po merr karakter gjithnjë e më të fortë ushtarak.

Stërvitjet e përbashkëta, teknologjitë e mbrojtjes, armatimet dhe marrëveshjet e sigurisë po afrojnë dy vendet. Për Greqinë, kjo marrëdhënie lidhet kryesisht me ekuilibrin me Turqinë, ndërsa shqetësimet e Izraelit për Ankaranë lidhen edhe me Sirinë, Palestinën dhe rendin rajonal.

Këtu qëndron thelbi i “Trekëndëshit të Tukididit”: kërcënimet që perceptohen ndryshe nga secili shtet mund të prodhojnë sjellje të ngjashme strategjike.

Bashkëpunimi ushtarak i dy vendeve ndikon te llogaritjet e të tretit, i cili reagon duke forcuar kapacitetet e veta. Kjo mund të nxisë shqetësime të reja te dy të parët dhe të krijojë një cikël kundërbalancimi.

Ky proces nuk e bën konfliktin të pashmangshëm. Rreziku shfaqet kur çdo rritje e kapaciteteve të një pale interpretohet automatikisht si përgatitje për agresion.

Për Turqinë, Izraelin dhe Greqinë, sfida kryesore është të kombinojnë parandalimin ushtarak me diplomacinë dhe të shmangin një cikël ku frika ushqen kundërbalancimin dhe kundërbalancimi forcon më tej frikën.

Mësimi i Tukididit nuk është se ndryshimi i ekuilibrit të fuqisë çon domosdoshmërisht në luftë. Ai tregon se ndryshimet në raportet e fuqisë mund të krijojnë pasiguri dhe se mënyra se si shtetet i interpretojnë këto ndryshime mund të përcaktojë nëse rivaliteti mbetet i menaxhueshëm apo shndërrohet në konflikt. /tesheshi

Related posts

Raportuesja e OKB-së u bën thirrje vendeve të botës të ndalojnë mbështetjen për krimet izraelite

Hevzi

Regjisori amerikan, Stone: Netanyahu është i çmendur, nuk kam parë kurrë në jetën time masakra të tilla

admin

Izraeli përgatitet për luftë me Iranin që mund të zgjasë të paktën një muaj

admin