RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Turqia përkujton puçin ushtarak të vitit 1960

turqia-perkujton-pucin-ushtarak-te-vitit-1960

Turqia sot shënoi 63-vjetorin e grushtit të shtetit ushtarak të vitit 1960, i cili çoi në ekzekutimin e kryeministrit të atëhershëm Adnan Menderes, së bashku me anëtarë të tjerë të Partisë Demokratike, raporton Anadolu.

“63 vjet më parë, më 27 maj, Turqisë iu desh të përballej me puçin e parë ushtarak pas kalimit të saj në sistem shumëpartiak”, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan në Istanbul teksa vizitoi varrin e Menderesit.

Duke theksuar se 27 maji ishte “një nga ditët më të zeza” në historinë e Turqisë, Erdoğan tha: “Ky grusht shteti, i kryer nga një grup brenda Forcave të Armatosura Turke, jo vetëm që pengoi lëvizjen tonë drejt demokracisë dhe zhvillimit, por gjithashtu la plagë të thella në zemrat tona”.

Partia Demokratike erdhi në pushtet në vitin 1950, duke i dhënë fund epokës njëpartiake të Turqisë nën qeverisjen e Partisë Popullore Republikane (CHP).

Menderes u bë kryeministri i parë jashtë CHP-së dhe fitoi dy zgjedhje të tjera në 1954 dhe 1957.

Gjatë një periudhe vështirësie ekonomike në vitin 1960, një grup oficerësh ushtarakë të rangut të mesëm organizuan grusht shteti. Menderes dhe 14 anëtarë të administratës së tij u akuzuan për tradhti dhe shpërdorim të fondeve publike.

Ata u gjykuan në një gjykatë ushtarake në ishullin Yassıada në Detin Marmara dhe në vitin 1961, Menderes dhe ministrat e tij Hasan Polatkan dhe Fatin Rüştü Zorlu u dënuan me vdekje.

Yassıada u riemërua si Ishulli i Demokracisë dhe Lirisë në vitin 2013.

“Ne e kemi kthyer Yassıadan në një ishull të demokracisë dhe lirive në një mënyrë që do të mbajë të gjallë kujtimin e dëshmorëve tanë”, tha Erdoğan.

Ndërkohë, edhe nënpresidenti Fuat Oktay kujtoi grushtin e shtetit, duke thënë: “Ne nuk do të heqim dorë nga lufta jonë për demokraci kundër çdo tutele që shpërfill vullnetin e kombit tonë të dashur”.

Nga ana e tij, kryetari i parlamentit turk Mustafa Şentop tha se 27 maji është një ditë që Turqia e kujton si “turp” në historinë e saj.

“Grushti i shtetit i 27 majit ishte pika e kthesës së një periudhe kur vullneti kombëtar u mor peng. Nuk duhet harruar se arsyeja kryesore e çdo grushti në vendin tonë ishte pengimi i Turqisë që të arrijë fuqinë për të realizuar politika të pavarura”, tha Şentop në një deklaratë.

Related posts

Scholz: Perëndimi duhet të shmangë një Lufte të re të Ftohtë

admin

Azerbajxhani notë proteste Francës për sulmin e armenëve ndaj ambasadës në Paris

admin

Alarmohet Evropa, regjistrohet rasti i parë me linë e majmunëve! Personi u infektua në…

admin