RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Turqia raporton për progres në marrëveshjen për grurin e Ukrainës

turqia-raporton-per-progres-ne-marreveshjen-per-grurin-e-ukraines

Turqia njoftoi të premten se bisedimet që po zhvillohen në Stamboll për të rinovuar marrëveshjen që lejon eksportet e grurit të Ukrainës nëpërmjet Detit të Zi pas pushtimit të Rusisë, po rezultojnë me sukses.

Marrëveshja, e cila mundëson eksportin e sigurt të grurit ukrainas, përfundon më 18 maj, ndërkohë Moska ka kërcënuar të tërhiqet nëse kërkesat e saj nuk plotësohen.

“Ne po shkojmë drejt pajtueshmërisë për vazhdimin e marrëveshjes për grurin”, tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, nëpërmjet një deklarate për shtyp.

Akar iu referua bisedimeve në Stamboll këtë javë ndërmjet zyrtarëve nga Turqia, Rusia, Ukraina dhe Kombet e Bashkuara.

Përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë, Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara (OKB) u takuan në Stamboll, më 11 maj lidhur me propozimet e OKB-së për të zgjeruar iniciativën për transportin e grurit përmes Detit të Zi.

Përveç vazhdimit të marrëveshjes, takimi në Stamboll u fokusua në një propozim të Kombeve të Bashkuara për të rifilluar eksportet e amoniakut të Rusisë përgjatë tubacionit Togliatti-Odesa, tha Organizata e Kombeve të Bashkuara nëpërmjet një njoftimi.

OKB-ja dhe Turqia ndërmjetësuan për marrëveshje, në korrik të vitit 2022, për të lehtësuar krizën globale të ushqimit, e cila u shkaktua nga pushtimi rus i Ukrainës. Marrëveshja ndihmoi që ushqimi të arrijë te njerëzit në vendet më të varfra në Afrikë, Lindje të Mesme dhe Azi.

Rusia kishte publikuar një listë kërkesash në lidhje me eksportet e saj bujqësore, të cilat dëshiron të përmbushen para se ajo të pajtohet për zgjatje të marrëveshjes.

Ndërsa eksportet e tilla ruse nuk i nënshtrohen sanksioneve perëndimore të vendosura pas pushtimit të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, Moska thotë se kufizimet e pagesave, logjistikës dhe sigurimeve po i pengojnë dërgesat. /rel

Related posts

Afrika e Jugut shpall “persona non grata” të Ngarkuarin me Punë të Izraelit

admin

Britania shënon ditën më të nxehtë të vitit deri më tani

admin

Trump thotë se mund të vendosë tarifa ndaj vendeve që nuk pajtohen me SHBA-në për Grenlandën

RTI