Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka publikuar të dielën një mesazh me rastin e 104-vjetorit të Ditës së Fitores, duke përkujtuar fitoren vendimtare në Luftën për Pavarësi të vendit, transmeton Anadolu.
“Sot, me krenari shënojmë 104-vjetorin e Fitores së Madhe, e cila ka hyrë në histori si ‘Beteja e Kryekomandantit’ dhe përbënte fazën më të rëndësishme të Luftës sonë Kombëtare”, ka thënë Erdogan në një deklaratë të shpërndarë nga Drejtoria e Komunikimeve në platformën turke NSosyal.
“I uroj kombin tonë të dashur, popullin turk qipriot dhe qytetarët tanë që jetojnë në vende të ndryshme të botës me rastin e 30 Gushtit, Ditës së Fitores. Shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për mysafirët tanë të nderuar që ndajnë gëzimin dhe emocionin tonë në këtë festë në përfaqësitë tona jashtë vendit”, ka thënë presidenti turk.
Erdogan ka thënë se fitorja e 30 Gushtit ka konfirmuar edhe një herë se tokat ku kombi turk ka jetuar i lirë për një mijë vjet janë “atdheu i tij i përjetshëm”.
“Fitorja e Madhe, e cila gjithashtu hapi rrugën për themelimin e Republikës sonë, i shpalli gjithë botës se kombi ynë kurrë nuk do ta pranonte robërinë, ndërsa njëkohësisht ndihmoi në thyerjen e rrethimit imperialist të gjeografisë sonë’, ka thënë ai.
“Vendosmëria, guximi dhe qëndrueshmëria që treguam si komb 104 vjet më parë, pavarësisht çdo lloj vështirësie, mbeten sot burimi ynë më i fortë i motivimit”, ka shtuar ai.
Erdogan ka thënë se Turqia, e frymëzuar dhe duke marrë besim nga “historia e saj e lavdishme”, po përparon vazhdimisht drejt objektivave të saj përmes historive të suksesit në çdo fushë, nga energjia dhe industria e mbrojtjes deri te shkenca, teknologjia dhe politika e jashtme.
“Në një kohë kur luftërat, konfliktet, krizat dhe pasiguritë politike po shtohen në mbarë botën, veçanërisht në rajonin tonë, Turqia dallohet me politikat e saj proaktive, të bazuara në parime, të vendosura dhe të përqendruara në vlerat humanitare”, ka thënë ai.
“Dua të deklaroj me kënaqësi se sot ekziston një Turqi që përpiqet të parandalojë shtypjen, pavarësisht se kush e kryen atë, që qëndron pranë të shtypurve, pavarësisht se kush janë ata, dhe që nuk heziton të paguajë çmim kur është e nevojshme për këtë kauzë”, ka deklaruar Erdogan.
Duke cituar një shprehje të lashtë turke, Erdogan ka thënë: “Përderisa qielli blu sipër nesh të mos shembet dhe toka e errët poshtë nesh të mos shpohet, askush nuk do të mund ta bëjë Turqinë dhe kombin turk të heqin dorë nga lufta e tyre e bekuar”.
“Pavarësisht të gjitha nxitjeve dhe provokimeve të atyre që ushqehen me paqëndrueshmërinë, ne, si shtet dhe komb, do të vazhdojmë të qëndrojmë në anën e së drejtës, ligjit, drejtësisë, paqes dhe stabilitetit”, ka shtuar ai.
Erdogan ka falënderuar të gjithë qytetarët që, “ashtu si 104 vjet më parë”, po kontribuojnë në unitet dhe solidaritet për ndërtimin e Shekullit të Turqisë.
“Në këtë ditë domethënëse, përqafoj me dashuri edhe të gjithë miqtë, vëllezërit dhe motrat tona në cepa të ndryshëm të gjeografisë sonë të përbashkët kulturore dhe shpirtërore, zemrat e të cilëve rrahin me kombin tonë dhe që ndajnë si gëzimet, ashtu edhe dhimbjet tona”, ka thënë ai.
“Me këtë rast, përkujtoj me mirënjohje Gazi Mustafa Kemal Ataturkun, kryekomandantin e Fitores së Madhe, dhe bashkëluftëtarët e tij. I lutem Allahut të Plotfuqishëm të ketë mëshirë për dëshmorët tanë, të cilët i konsiderojmë rojtarët e përjetshëm të pavarësisë sonë, dhe i kujtoj veteranët tanë me mirënjohje.
Gëzuar 30 Gushtin, Ditën e Fitores”, ka thënë presidenti turk.
Dita e Fitores shënon betejën përfundimtare në Anadollin perëndimor kundër forcave greke në vitin 1922 dhe u kushtohet Forcave të Armatosura të Turqisë.
Forcat turke zhvilluan Betejën e Dumlupinarit nga 26 deri më 30 gusht në atë që sot është provinca qendrore turke Kutahya, ku ushtria pushtuese greke u mund në mënyrë vendimtare.
Deri në fund të vitit 1922, të gjitha forcat e huaja ishin dëbuar nga territoret që një vit më vonë do të formonin Republikën e Turqisë.

