RTV AHIRETI
Çështje mjekësore

U mbajtë Ditën Ndërkombëtare të Mbulesës

u-mbajte-diten-nderkombetare-te-mbuleses

Departamenti i Gruas pranë Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës shënoi 1 Shkurtin, Ditën Ndërkombëtare të Mbulesës. Me këtë rast, në bashkëpunim me World Hijab Day Kosovo, u organizua një konferencë, që për qëllim kishte sensibilizimin, vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e masës së gjerë se mbulesa është obligim nga Zoti dhe se gruaja e cila bartë mbulesën duhet të jetë e lirë në praktimimin e fesë së saj, duke i merituar të gjitha të drejtat e barabarta si çdo grua tjetër.

Udhëheqësja e Departamentit të Gruas znj. Vaxhide Podvorica – Bunjaku, tha se pavarësisht sfidave e vështirësive në fusha të ndryshme, gratë me mbulesë po tregojnë se mbulesa nuk është pengesë në arritjen e synimeve në jetë.

“Sot jemi këtu jo për t’u ankuar, edhe pse hasim në vështirësi, por për të treguar në veçanti se gruaja myslimane është optimiste dhe e fortë, asaj nuk i mungojnë përpjekjet, vullneti dhe angazhimi i saj për të mësuar, edukuar e kontribuar, qoftë edhe në baza vullnetare, ku falë punës së tyre të palodhshme po edukohen shumë gra e të rinj.”

Ajo po ashtu foli për përkushtimin e Bashkësisë Islame në këtë drejtim, që femra myslimane të edukohet, arsimohet e të ngritët profesionalisht.

“Si dëshmi e kësaj që po themi vlen të cekim këtu përpjekjet e Bashkësisë Islame të Kosovës lidhur me angazhimin e grave të punësuara në këtë institucion, ku numri i tyre arrin mbi 150 teologe, të cilat kryejnë punën nëpër komunat e tyre, po ashtu profesoresha në Fakultetin e Studimeve Islame dhe në medresetë, andaj i gjithë ky kuadro i përgatitur profesionalisht që po kontribuon brenda institucioneve të Bashkësisë Islame i ka sjell vetëm fat këtij vendi, duke edukuar e fuqizuar gra, nxënës e student, e nëse sot nuk vlerësohet puna e tyre do vlerësohet nesër, sepse ato sot po lënë gjurmë për të dëshmuar historia nesër”, tha mes të tjerash ajo.

Panelistët e kësaj konference trajtuan këtë temë nga aspekte të ndryshme, duke dhënë mesazh të përbashkët se mbulesa nuk duhet të jetë pengesë në asnjë fushë të jetës. Ato inkurajuan secilën grua që sfidat t’i tejkalojnë me punë e angazhim, duke mos u dorëzuar asnjëherë pavarësisht vështirësive që hasin gjatë rrugës.

Pjesë e këtij paneli ishin: Vaxhide Podvorica – Bunjaku, udhëheqëse e Departamentit të Gruas, Valbone Bytyqi – ambasadore e World Hijab Day Kosovo, Violeta Smajlaj – teologe, Valbone Sadiku – ekonomiste, Albulena Rrustemi – Kurti, psikologe dhe Rovena Tujani – Klinaku, avokate.