RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Udhëheqësit e Ballkanit mbështesin Ukrainën dhe kërkojnë përkrahjen e BE-së për rajonin

udheheqesit-e-ballkanit-mbeshtesin-ukrainen-dhe-kerkojne-perkrahjen-e-be-se-per-rajonin

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian shprehën mbështetjen dhe solidaritetin e tyre me popullin ukrainas në luftën e tij kundër pushtimit rus.

Ata u mblodhën të hënën mbrëma në një darkë joformale në Athinë, të organizuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, me rastin e 20-vjetorit të Samitit BE – Ballkani Perëndimor në Selanik.

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, udhëheqësit e rajonit shkëmbyen mendime për ecurinë e mëtejshme të integrimit evropian. Ata theksuan se Ballkani Perëndimor është i një rëndësie strategjike për BE-në dhe se anëtarësimi i vendeve të tij në bllok do t’i kontribuonte stabilitetit dhe prosperitetit jo vetëm të rajonit, por edhe të Evropës në tërësi.

Sipas tyre, integrimi më i shpejtë i Ballkanit Perëndimor në BE kërkon mbështetje të fortë politike si asnjëherë më parë.

“Duke vlerësuar vlerat e BE-së të bazuara në demokraci, sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në të ardhmen evropiane. Siç thuhet në Deklaratën e Selanikut të dy dekadave më parë: ‘Evropa do të jetë vërtet e bashkuar vetëm kur të gjitha vendet e rajonit të bëhen pjesë përbërëse e saj”, thuhet në njoftim dhe shtohet se në fund të darkës joformale, liderët ranë dakord për një deklaratë të përbashkët.

Në darkën joformale në Athinë morën pjesë: presidentët e Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, Charles Michel dhe Ursula von der Leyen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Të pranishëm ishin edhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së nga rajoni – Andrej Pllenkoviq i Kroacisë, Ion-Marcel Ciolacu i Rumanisë dhe Nikolai Denkov i Bullgarisë, si dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentja moldave, Maia Sandu. /rel

Related posts

E dyshuara për vrasjen e kunatit thotë se ai dhe burri i saj e kishin kërcënuar dhe kanosur vazhdimisht

RTI

Vazhdojnë sulmet kundrejt Kuranit në Suedi

admin

Produktet nga Serbia po zëvendësohen me produkte nga vendet e rajonit

admin