Pesëmbëdhjetë palestinezë, përfshirë dy fëmijë, kanë mbetur të rrethuar brenda tri shtëpive në zonën Ras al-Ain të Qusrës, në jug të Nablusit, ndërsa rrethimi nga kolonët izraelitë dhe forcat ushtarake ka hyrë në javën e dytë.
Familjet janë të privuara nga ushqimi, uji dhe energjia elektrike. Kombet e Bashkuara kanë raportuar se banorët janë “të bllokuar brenda shtëpive të tyre në gjendje terrori” dhe pa mundësi për të siguruar nevojat bazë.
Të dielën, ushtria izraelite ndaloi një autokolonë të UNICEF-it që po përpiqej të dërgonte ndihma. Dy automjete arritën të sillnin ushqime, por një cisternë me ujë u pengua dhe u largua nga zona.
Një ditë më parë, kolonët sulmuan punonjësit e komunës dhe një buldozer që po përpiqeshin të riparonin linjat e ujit dhe energjisë elektrike.
Kryetari i Qusrës, Abdel Azim Wadi, tha se autoritetet nuk kanë mundur të rikthejnë furnizimin me ujë dhe energji për familjet e rrethuara.
Banorët, ndërkohë, thonë se nuk kanë ndërmend të largohen nga shtëpitë e tyre. Njëri prej tyre, Qusai Abu Reida, deklaroi se familjet do të qëndrojnë në tokat e tyre edhe nëse u ndërpritet ushqimi, uji dhe ilaçet.
Analistë politikë dhe organizata të të drejtave të njeriut e kanë cilësuar rrethimin si pjesë të një fushate më të gjerë presioni ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor. Ata paralajmërojnë se situata në Qusra mund të krijojë një precedent për raste të ngjashme në fshatra të tjera palestineze.
Sipas Komisionit Palestinez për Rezistencën ndaj Murit dhe Vendbanimeve, që nga tetori i vitit 2023 kolonët kanë ngritur më shumë se 300 pika të reja jashtë vendbanimeve, ndërsa qeveria izraelite ka avancuar planet për 104 vendbanime të reja. /mesazhi

