RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ukraina do ta vazhdojë eksportimin e grurit, pavarësisht sulmeve ruse

ukraina-do-ta-vazhdoje-eksportimin-e-grurit,-pavaresisht-sulmeve-ruse

Rusia ka sulmuar me raketa dhe dronë portet e Ukrainës, kyçe për dërgimin e grurit në botë. Moska ka deklaruar se zona të mëdha të Detit të Zi janë të rrezikshme për transportin. Madje edhe SHBA-ja ka njoftuar se anijet janë në rrezik për t’u shënjestruar.

Ka ende insistim nga pronarët e anijeve për të transportuar grurë ukrainas përmes Detit të Zi – nëse ata mund ta shmangin rrezikun, sipas një grupi të madh të anijeve.

Pavarësisht paralajmërimeve dhe sulmeve në port, të cilat kanë rrafshuar infrastrukturën e drithit, “transportimi ka qenë gjithmonë shumë fleksibil përballë këtyre llojeve të rreziqeve”, ka theksuar John Staëpert, menaxher i lartë i mjedisit dhe tregtisë për Dhomën Ndërkombëtare të Transportit, e cila përfaqëson 80% të flotës tregtare të botës.

Sulmet e kësaj jave erdhën pasi Rusia u tërhoq nga një marrëveshje që OKB-ja dhe Turqia e ndërmjetësuan vitin e kaluar për të siguruar masa mbrojtëse për kompanitë e transportit detar në një përpjekje për t’i dhënë fund një krize globale ushqimore. Ukraina – e cila, së bashku me Rusinë, është janë furnizuesit kryesor të grurit, elbit dhe vajit vegjetal për vendet në zhvillim – dërgoi 32.9 milionë tonë metrikë grurë në botë dhe furnizoi 80% të grurit të Programit Botëror të Ushqimit për ndihmë humanitare deri më tani këtë vit.

Pas pezullimit të marrëveshjes së grurit, Ukraina i dërgoi një letër Organizatës Ndërkombëtare Detare të OKB-së, duke krijuar korridorin e saj të përkohshëm të transportit, duke thënë se do të “siguronte garanci për kompensimin e dëmit”.

Sigurimi i anijeve

Por Rusia paralajmëroi këtë javë se anijet që përshkojnë pjesë të Detit të Zi do të konsiderohen se po transportojnë armë në Ukrainë. Në një lëvizje të dukshme, Ukraina ka njoftuar se anijet që drejtohen në portet ruse të Detit të Zi do të konsideroheshin si “bartje të ngarkesave ushtarake me të gjitha rreziqet e lidhura”.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Vershinin, ka theksuar se marina do të kontrollojë anijet për t’u siguruar që ato nuk mbajnë armë përpara se të ndërmarrin veprime të tjera.

Dërgesat e vazhdueshme nga Ukraina do të varen nga sigurimi i anijeve nga dëmet e mundshme, lëndimet apo vdekjet e anëtarëve të ekuipazhit, si dhe nga mënyra se si shfaqen rreziqet e sigurisë. Anijet që eksportojnë grurin e Ukrainës mund të vlejnë dhjetëra miliona dollarë, të kenë 20 deri në 22 marinarë në bord dhe të mbajnë ushqime po ashtu me vlerë dhjetëra milionëshe, sipas Jayendu Krishnas, nënkryetar i këshilltarëve detarë në Dreëry, një konsulencë kërkimore detare.

Të gjitha anijet kalojnë nëpër kontrolle përpara nisjes së lundrimit, meqë ka prej tyre që merren me piraterinë, terrorizmin dhe zonat e luftës.

Për Detin e Zi, rreziqet për anijet do të ishin: mina shpërthyese, duke u bërë dëme anësore në porte ose duke u shënjestruar vetë, gjë që Stawpert ka thënë se do të ishte “një përshkallëzim i madh”.

“Pyetja miliona dollarëshe është nëse kërcënimet ndaj transportit tregtar janë serioze dhe nëse ato do të ndiqen. Nuk ka një shpjegim të qëndrueshëm përderisa të ndodhë në të vërtetë”, ka theksuar Stawpert, duke shtuar se ai ende nuk ka dëgjuar asgjë nga siguruesit.

Me paralajmërimet e Rusisë, “nuk ka gjasa që nënshkruesit të duan të mbulojnë atë rrezik”, ka njoftuar Unioni Ndërkombëtar i Sigurimeve Detare, i cili përfaqëson operatorët detarë kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Grupi mendoi se nuk kishte shanse që pronarët t’i vendosnin anijet dhe ekuipazhet e tyre në rrezik, gjë që bëri jehonë nga Munro Anderson, kreu i operacioneve për Vessel Protect, i cili vlerëson rreziqet e luftës në det dhe ofron sigurime me mbështetje nga Lloyd’s, anëtarët e të cilit përbëjnë tregun më të madh të sigurimeve në botë.

Ai nuk foli drejtpërdrejt nëse bizneset si i tij do të merrnin përsipër rrezikun, por tha se pa mbrojtje për anijet si ato në marrëveshjen e grurit, “kushtet e sigurisë nuk mund të garantohen”.

Siguria e ekuipazhit

Krishna ka theksuar se mënyra e vetme për të zbutur rrezikun ishte përmes sigurimit nga 12 ofruesit që përbëjnë Grupin Ndërkombëtar të Klubeve P&I, i cili ofron mbulim të përgjegjësisë për rreth 90% të ngarkesave në botë të dërguara nga deti, sipas faqes së saj të internetit.

“Klubet e P&I do të jenë të kujdesshëm edhe për të siguruar” pa garanci nga OKB-ja apo ndonjë organ tjetër, ka bërë të ditur ai.

Kreu i divizionit të detarëve të Federatës Ndërkombëtare të Punëtorëve të Transportit, një sindikatë për anëtarët e ekuipazhit, ka theksuar se pyetja duhet të jetë nëse është shumë e rrezikshme tani për t’u kërkuar marinarëve të shkojnë në portet e Ukrainës.

“Mendjet e marinarëve nuk do të jenë në çështjet e mbulimit të sigurimeve, por më shumë ka të ngjarë nëse jeta e tyre është e sigurt në mes të luftimeve”, ka thënë David Heindel në një deklaratë, duke shtuar se ekuipazhet “nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër vetëm për të bërë punën e tyre”.

Ndërkohë, disa analistë presin që pjesa më e madhe e sasisë që Ukraina do të dërgonte përmes Detit të Zi do të lëvizë nëpërmjet rrugëve tokësore, hekurudhave dhe lumenjëve përmes Evropës, por se kostot e transportit do të jenë më të larta dhe ka të ngjarë të çojnë në prodhim më të ulët nga fermerët ukrainas.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka treguar se Ukraina ka bërë përparim në përmirësimin e këtyre rrugëve, por se mënyra më e mirë për të eksportuar grurë është përmes Detit të Zi. Kjo është mënyra se si 75% e grurit të vendit arriti në botë para luftës, thonë analistët.

Plus, rrugët kanë krijuar ndarje në Bashkimin Evropian, me pesë vende që thanë të mërkurën se duan të zgjasin një ndalim për importet e grurit ukrainas deri në fund të vitit.

Polonia, Sllovakia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria do të vazhdojnë të lejojnë drithërat të lëvizin përmes kufijve të tyre në tregjet botërore. Ndalimet e tyre mund të krijojnë sfida si rezervat e infrastrukturës që mund t’i japin përparësi drithit vendas përpara produkteve të Ukrainës, ka treguar Carlos Mera, kreu i tregjeve të mallrave bujqësore në Rabobank.

Pesë vendet thonë se drithi ukrainas ka përmbytur tregjet e tyre, duke çuar në një tepri që uli çmimet për fermerët e tyre dhe nxiti protesta. Ata nënshkruan një deklaratë të përbashkët përpara bisedimeve të BE-së javën e ardhshme, duke u kërkuar zyrtarëve të gjejnë mënyra për të sjellë ushqimin ukrainas në botë pa dëmtuar industritë e tyre bujqësore.

Është një tjetër pengesë për Ukrainën – dhe ndoshta për vendet në zhvillim që tashmë po luftojnë me çmimet e larta të ushqimeve lokale, të cilat po ndihmojnë në nxitjen e urisë.

Çmimet e grurit janë rritur me rreth 17% gjatë javës së fundit dhe shtetet e varfra janë të detyruara të paguajnë më shumë në tregjet botërore për përbërësin e produkteve kryesore si buka dhe makaronat. “Shumë miliona njerëz po shtyhen në pasiguri ushqimore”, ka shpjeguar Mera.

Përktheu: Blerta Haxhiu /koha

Related posts

Humbja e konservatorëve britanikë në zgjedhjet lokale vlerësohet historike, pritshmëritë që Partia Laburiste të kthehet në pushtet pas 14 vjetësh

admin

Bastisjet në Al-Aksa ‘një provokim serioz’

rezart morina

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut: Alarmet për bomba vijnë nga jashtë

admin