Ekipet e shpëtimit vazhduan kërkimin në rrënojat e një ndërtese banimi të shkatërruar në Ternopil të Ukrainës, pas një sulmi rus, transmeton Anadolu.
Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, sulmi vrau 26 persona, përfshirë tre fëmijë ndërsa plagosi 93 të tjerë. Ekipet e kërkimit punuan gjatë gjithë natës, megjithëse progresi është ngadalësuar nga shkatërrimi i gjerë dhe nevoja për largim manual në disa pjesë.
Më shumë se 230 ekipe shpëtimi janë në vendngjarje, të mbështetur nga 50 njësi pajisjesh ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të gjetur ata që ende nuk janë gjetur. Ministri i Jashtëm, Andrii Sybiha e dënoi sulmin, duke thënë se veprimet e Rusisë treguan se si duken “planet e saj të paqes” në realitet.
Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës deklaruan se Rusia lëshoi 48 raketa dhe 476 dronë nga disa drejtime, me objektivat kryesorë rajonet Lviv, Ternopil dhe Kharkiv.
Rusia pretendon se forcat e saj kryen sulm masiv me armë precize me rreze të gjatë veprimi ndaj objekteve ushtarako-industriale dhe energjetike të Ukrainës në rajonet perëndimore. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se sulmi, i cili përfshinte raketa hipersonike “Kinzhal” dhe dronë sulmues u krye në përgjigje të asaj që i quajti sulme ukrainase në vende civile në Rusi.
Ministria tha se të gjitha objektivat e përcaktuara u goditën, një pretendim që nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

