Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë ka lansuar edicionin e 24-të të Përmbledhjes Pulsi Publik me një prezantim të gjetjeve kryesore.
Sipas zyrtarëve të UNDP-së në Kosovë të dhënat e anketës së opinionit të Pulsit Publik të prillit 2023 tregojnë një rritje të kënaqshmërisë me punën e institucioneve kyç ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në Kosovë në krahasim me anketën e mëparshme të kryer në nëntor 2022.
Zyrtarja e projektit për statistika në UNDP, Alisa Hasani, tha se në anketë janë përfshirë 896 shqiptarë, 210 serbë dhe 201 qytetarë nga komunitete të tjera pakicë si turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe goranë.
“Kur bëhet fjalë për indikatorët politikë, anketa e prillit të vitit 2023 tregon një rritje pozitive në kënaqshmërisë me punën e institucioneve qendrore kyç. Mesatarisht 45,8 për qind e respodentëve ishin të kënaqur me punën e institucioneve kyç kosovare dhe kjo shënon 5,9 për qind rritje të kënaqshmërisë krahasuar me raportin e nëntorit të vitit 2022”, theksoi Hasani.
Gjithashtu, ajo tha se edhe kënaqshmëria me punën e kryeministrit ka shënuar rritje me 51,5 për qind apo 6,6 për qind më shumë krahasuar me nëntorin e vitit 2022.
Po ashtu, edhe kënaqshmëria me punën e Kuvendit, kryetarin e Kuvendit, sipas anketës së UNDP-së, kanë shënuar rritje krahasuar me raportin e vitit të kaluar.
Anketat e opinionit për përmbledhjet e Pulsit Publik realizohen dy herë në vit dhe e pasqyrojnë opinionin e mbi 1.300 të anketuarve mbi 18 vjeç në Kosovë. Gjetjet e Përmbledhjes së Pulsit Publik – 24 janë bazuar në të dhënat e mbledhura nga 4 deri më 25 prill 2023 në mbarë territorin e Kosovës, me numër të barabartë të meshkujve dhe femrave nga të gjitha grupet etnike që jetojnë në Kosovë.