Qindra mijëra njerëz janë të zhvendosur brenda Sudanit dhe shumë më tepër njerëz janë të mbyllur në shtëpitë e tyre dhe nuk janë në gjendje të kenë qasje në gjërat e nevojshme.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) tha të premten se rreth 200.000 njerëz janë larguar nga Sudani që nga fillimi i konfliktit dhe se qindra mijëra janë zhvendosur brenda vendit.
“Në kohë kur dhuna në Sudan vazhdon në javën e saj të katërt, rreth 200.000 njerëz janë detyruar të largohen nga vendi dhe më shumë njerëz po kalojnë kufijtë në kërkim të sigurisë çdo ditë”, tha zëdhënësja e UNHCR-së Olga Sarrado në një konferencë të OKB-së në Gjenevë.
Ajo shtoi se qindra mijëra njerëz janë të zhvendosur brenda vendit dhe shumë të tjerë janë të kufizuar në shtëpitë e tyre dhe nuk janë në gjendje të kenë akses në gjërat e nevojshme.
“Përgjigja humanitare ndaj kësaj emergjence është ‘sfiduese dhe e kushtueshme’, pasi është e vështirë jo vetëm sepse Sudani po përballet me pasiguri, por edhe sepse refugjatët dhe të kthyerit po mbërrijnë në zona të largëta kufitare në vendet fqinje ku shërbimet dhe infrastruktura nuk ekzistojnë”, ajo tha.
Në Sudan, më 15 prill, shpërthyen luftimet midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së në dhe rreth kryeqytetit, Khartoum. Më shumë se 600 njerëz u vranë dhe mijëra u plagosën. Mosmarrëveshjet midis dy palëve janë ndezur muajt e fundit lidhur me integrimin e RSF-së në forcat e armatosura të Sudanit, një kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.
Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga vjeshta e vitit 2021, kur ushtria rrëzoi qeverinë e përkohshme të kryeministrit Abdalle Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një lëvizje që forcat politike e quajtën një “grusht shteti”.
Periudha e tranzicionit, e cila filloi në gusht 2019 pas përmbysjes së presidentit Omar al-Bashir, ishte menduar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.