Shefi i Agjencisë së OKB-së për Ndihmën e Refugjatëve Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, ka deklaruar se uria është diçka që populli në Gaza nuk e kanë njohur kurrë më parë, transmeton Anadolu.
Lazzarini foli në një konferencë për media në Gjenevë pas përfundimit të vizitës së tij të tretë në Gaza.
“Uria është diçka që populli në Gaza nuk e ka njohur kurrë më parë. Por uria tani gjatë javëve të fundit është shfaqur dhe ne takojmë gjithnjë e më shumë njerëz që nuk kanë ngrënë për një, dy ose tre ditë. Njerëzit… dhe kjo është gjithashtu krejtësisht e re… njerëzit ndalojnë kamionët me ndihma, e marrin ushqimin dhe e hanë menjëherë. Ja sa të dëshpëruar dhe të uritur janë ata”, tha Lazzarini.
Shefi i UNRWA-së pohoi se rrethimi i Gazës duhet të hiqet dhe se ajo që duhet sot nuk janë vetëm 100 apo 200 kamionë.
“Ne kemi nevojë për një fluks kuptimplotë, në shkallë, të pandërprerë, dhe të pakushtëzuar të mallrave bazë në Rripin e Gazës. Kjo është mënyra e vetme për të kthyer ndikimin negativ të rrethimit”, tha ai.
Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore në hakmarrje për sulmin ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, të paktën 18.787 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 50.897 të tjerë janë plagosur që atëherë në sulmet izraelite.