Janë agjencitë e lajmeve ato që vendosin se çfarë të nxjerrin në media dhe për këtë arsye janë përgjegjëse për cilësinë e informacionit, tha në një konferencë drejtori i agjencisë polake të lajmeve, PAP, Wojciech Surmacz.
Këtë deklaratë Surmacz e bëri në hapjen e Konferencës V për të Ardhmen e Medias, e organizuar nga agjencia PAP në Varshavë.
Konferenca u fokusua në dezinformimin dhe luftën e informacionit si dhe kërcënimin e paraqitur nga inteligjenca artificiale.
”Agjencitë e lajmeve vendosin vërtet se çfarë nxjerrin në media, pasi ne, agjencitë e lajmeve, jemi burimi i informacionit”, tha ai.
“Informacioni ynë ushqen të gjithë ekosistemin e medias. Ne jemi ndoshta më përgjegjës për cilësinë e informacionit dhe për mënyrën se si ky informacion perceptohet”, theksoi ai.
Presidenti i PAP shtoi se që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës në vitin 2014, mediet janë marrë me një valë informacionesh të rreme për atë që po ndodh në Ukrainë dhe Poloni.
”Ne duhet ta luftojmë këtë valë dhe t’i shpjegojmë gjithë botës se kush jemi dhe si jemi”, tha ai.
Surmacz shtoi se sa e rëndësishme është të informohen njerëzit për atë që po ndodh në Ukrainë sepse, sipas tij, “edhe tani, ndërsa po flasim, një njeri vdes në Ukrainë për të drejtën për të thënë ose shkruar atë që duan”.