Gjashtë palestinezë u plagosën sot në sulmet ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu.
Forcat izraelite bastisën kampin e refugjatëve Dheisheh, duke shkaktuar përleshje me banorët vendas, gjatë të cilave ushtarët izraelitë përdorën municion të vërtetë, plumba gome dhe bombola gaz lotsjellës, thanë dëshmitarët.
Tre palestinezë u plagosën, përfshirë një në gjendje kritike, raportoi radiostacioni “Zëri i Palestinës”. Gjatë bastisjes thuhet se u arrestuan shtatë palestinezë, përfshirë një grua.
Ndërkohë, tre palestinezë u plagosën në përleshjet me forcat izraelite në një sulm ushtarak në qytetet Kufr Nimeh dhe Beit Liqya, në perëndim të Ramallahut, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Wafa.
Dy palestinezë u morën gjithashtu në paraburgim izraelit.
Ushtria izraelite ende nuk është prononcuar lidhur me bastisjet.
Tensionet janë rritur në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar në muajt e fundit mes bastisjeve të përsëritura izraelite në qytetet palestineze.
Më shumë se 90 palestinezë janë vrarë nga armët izraelite që nga fillimi i këtij viti, sipas shifrave palestineze, ndërsa gjatë së njëjtës periudhë gjihashtu 14 izraelitë janë vrarë në sulme të veçanta.