RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

VAR-istët e pushtetit: Me lupë mbi revoltën, symbyllur para miliona eurove korrupsion

var-istet-e-pushtetit:-me-lupe-mbi-revolten,-symbyllur-para-miliona-eurove-korrupsion

Si u kthyen analistët dhe mediat e oborrit në arbitra skrupulozë që kërkojnë “faull” në çdo revoltë qytetare

Prej javësh, një ankth i dukshëm dhe thuajse qesharak ka kapluar dhomat e lajmeve, redaksitë dhe studiot e analistëve të rreshtuar me devotshmëri pas qeverisë.

Ekzistonte një shpresë e madhe, pothuajse një lutje kolektive nëpër korridoret e pushtetit, që kjo lëvizje qytetare – e cila tashmë ka hyrë me kokëfortësi në muajin e saj të dytë – të fashitej natyrshëm me ardhjen e zhegut të verës.

Sipas skenarëve të përgatitur në zyrat e propagandës, pritej që protestuesit të dorëzoheshin përpara rrezeve të forta të diellit dhe të iknin me vrap drejt plazheve për pushime, duke i kthyer Kryeministrit qetësinë e pasdites dhe deputetëve socialistë komoditetin e një verë pa zhurmë në sfond.

Por llogaritë e pushimeve dështuan. Protesta jo vetëm që nuk po ndalet, por po kthehet në një shqetësim kronik.

Dhe si për ironi të fatit, kjo qëndresë nuk ka prishur thjesht gjumin e qeverisë dhe të elitës politike në pushtet, por ka shkaktuar një pagjumësi të rëndë te një tjetër kategori: te shpura e propagandistëve, gazetarëve të oborrit dhe pronarëve të mediave që përfitojnë direkt nga aferat korruptive dhjetëra miliona euroshe.

Dhe pikërisht këtu shfaqet skena më absurde e fundjavës. Të shtunën e kaluar, përpara Kryeministrisë, qytetarët zgjodhën të përdornin një gjest simbolik: një arkivol kartoni. Kaq u desh që “shqiponjat” e analizës televizive dhe rojet e moralit të Rilindjes të hidheshin në një aksion elektrizues.

Papritur, gazetarët dhe analistët pro-qeveritarë pësuan një metamorfozë: nisën të sillen si teknikët e dhomës së VAR-it në një ndeshje futbolli. Me lupë në dorë, me përsëritje të skenës nga çdo kënd i mundshëm dhe me lëvizje të ngadalësuar (slow motion), u futën në një kërkim histerik për të gjetur “faullin” e protestës.

“Shihni arkivolin! Kjo nuk është protestë, por dhunë e pastër psikologjike! Ky gjest meriton karton të kuq dhe përjashtim të menjëhershëm!”- bërtasin ata nga dhomat e tyre të VAR-it mediatik, në ankth të plotë për të gjetur qoftë edhe një detaj që mund të përdoret për të diskredituar dhe zbehur marshimin qytetar.

Kjo ndjeshmëri e lartë estetike dhe morale e VAR-istëve televizivë është sa hipokrite, aq edhe cinike. Sepse të njëjtët njerëz, nuk shohin asnjë lloj “faulli” kur vidhen miliona euro nga taksat e qytetarëve përmes inceneratorëve, tenderave publikë apo koncesioneve fantazmë.

Dhe janë po të njëjtët që mbyllin sytë përpara skandaleve që lënë spitalet pa ilaçe, sot na shfaqen si mbrojtësit e mëdhenj të etikës publike. Kur vjen puna te vjedhja e shekullit, për ta “loja është plotësisht e rregullt”, loja vazhdon dhe arbitri nuk ka pse ndërhyn.

Por kur populli guxon dhe nxjerr në skenë një arkivol për të simbolizuar vdekjen e institucioneve, kjo përbën një pozicion të rëndë “jashtë loje” që duhet dënuar me ashpërsinë më të madhe analitike.

Prandaj, çdo ankesë e këtyre mediave kryesore mbi “gjuhën e urrejtjes” apo mbi revoltën që qytetarët shfaqin ndaj tyre, tingëllon thjesht qesharake.

Kur një media kthehet në një instrument të pastër të modelit “gebelsian” – ku propaganda pro-qeveritare është e vetmja e vërtetë dhe ku dhjetëra milionat e korrupsionit pastrohen me kronika të montuara – është naive të pritet që qytetarët e vjedhur të dhurojnë duartrokitje.

Kjo nuk është urrejtje e pabazë; është thjesht pasqyra e së vërtetës që po u tregon këtyre teknikëve të dhomës së VAR-it se sa e padurueshme është bërë propaganda e tyre e paguar mirë. tesheshi

Related posts

Rashiq konfirmon pjesëmarrjen në diskutimet e SHBA-së për Asociacionin

admin

Presidenti francez Macron: Iz’raeli nuk mund të zgjerojë operacionet e tij në Li’ban “pa pasoja”

admin

Një sipërmarrës shqiptar kandidat për eurodeputet në Itali/ Muharrem Salihu: Një rast historik i papërsëritshëm! Ja pse duhet të më votojnë

admin