RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vazhdon për të katërtën ditë me radhë protesta me moton “Shqipëria nuk është në shitje”

vazhdon-per-te-katerten-dite-me-radhe-protesta-me-moton-“shqiperia-nuk-eshte-ne-shitje”

Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës dhe kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura apo në rastet kur pretendohet pronësia nga qytetarë.

Protesta e radhës me moton “Shqipëria nuk është në shitje”, është mbajtur sot në Tiranë duke mbledhur mijëra qytetarë, ndërkohë u shoqërua edhe me tensione dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve.

Tensionet filluan pasi protestuesit çanë gardhin e sigurisë të vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke marshuar drejt selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ndërsa policia u kundërpërgjigj me ujë. Disa protestues pretenduan se ndaj tyre është hedhur edhe spraj djegës.

Ashtu si në protesta e kaluara, protestuesit kanë qëndruar edhe para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec dhe kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.

Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama, ka deklaruar se projekti në Zvërnec po i ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis, ndërkohë ai u ka bërë thirrje protestuesve për bashkëbisedim.

Gjithashtu në media është raportuar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka filluar hetimet për çështjen e Zvërnecit, ndërkohë prokuroria ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar.

Protestat janë iniciuar nga aktivistë dhe mbështeten nga qytetarët, të cilët kundërshtojnë ndërtimet në zonat e mbrojtura në Shqipëri dhe kërkojnë transparencë për projekte të tilla, ndërkohë kanë paralajmëruar vijimin e protestave.

Related posts

Tragjedi ne Malishevë: Tre persona kanë humbur jetën pas shpërthimit të një zjarri në një banesë

RTI

OKB: Deri në fund të vitit 200 mijë fëmijë mund të vdesin nga uria në Mali nëse nuk dërgohen ndihma

admin

Presidentja takon Sulltanin e Bruneit, flasin për rritjen e bashkëpunimit

admin