RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vendet e G7-ës do të kenë një qasje më të ashpër në tregtinë me Kinën

vendet-e-g7-es-do-te-kene-nje-qasje-me-te-ashper-ne-tregtine-me-kinen

Grupi i shtatë ekonomive kryesore të botës është dakorduar për të pasur një qasje më të ashpër dhe më të koordinuar ndaj Kinës për sa i përket tregtisë, deklaroi të enjten ministri gjerman i ekonomisë.

Pas një takimi dy-ditor me zyrtarët e tjerë të G7-ës, Ministri për Çështjet Ekonomike dhe Mbrojtjen e Klimës, Robert Habeck, tha për gazetarët se diskutimet në lidhje me Kinën ishin pjesë e një përpjekjeje për të garantuar standarde të larta të tregtisë ndërkombëtare dhe për të mos lejuar Pekinin që të përdorë fuqinë ekonomike për të ndikuar në vendet e tjera.

“Naiviteti kundrejt Kinës ka marrë fund,” tha Habeck, duke iu referuar qëndrimit të vetë Gjermanisë ndaj Kinës. “Koha kur thonim ‘Tregti, pa marrë parasysh asgjë’, pavarësisht nga standardet sociale apo humanitare, … është diçka që nuk duhet t’ia lejojmë më vetes.”

Ai tha se Gjermania do të punojë për të bindur Bashkimin Europian që të ndjekë “një politikë tregtare më të ashpër ndaj Kinës dhe që t’i përgjigjen si europianë masave kërcënuese që Kina ndërmerr për të mbrojtur ekonominë e saj”.

“Vendet e tjera partnere do të bëjnë saktësisht të njëjtën gjë,” tha Habeck, duke shtuar se anëtarët e G7-ës, ku përfshihen Britania e Madhe, Kanadaja, Franca, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, kanë rënë dakord që të koordinojnë veprimet e tyre përkatëse.

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit në Pallatin Neuhardenberg, në lindje të Berlinit, organizata e G7-ës nuk e përmendi specifikisht emrin e Kinës.

Në këtë deklaratë u shprehën shqetësime për “praktikat e padrejta, të tilla si të gjitha format e transferimit të detyruar të teknologjisë, vjedhja e pronësisë intelektuale, ulja e standardeve të punës dhe të mbrojtjes së mjedisit për të fituar avantazhe konkurruese, veprimet e ndërmarrjeve shtetërore që deformojnë tregun, si dhe subvencionet e dëmshme industriale, duke përfshirë ato që sjellin kapacitete shtesë.”

Grupi i G7-ës gjithashtu u zotua që do të vazhdojë të kërkojë një reformim të Organizatës Botërore të Tregtisë. Shtetet e Bashkuara janë treguar të kujdesshme për të mos t’iu nënshtruar juridiksionit të kësaj organizate me qendër në Gjenevë për çështjet tregtare. /monitor

Related posts

Polonia pret “falje të drejtpërdrejt” nga i dërguari izraelit për vrasjen e punonjësit polak nga sulmet izraelite

RTI

Niset grupi i katërt me radhë i haxhilerëve nga Kosova të cilët do ta kryejnë haxhin

admin

Kryediplomati turk i kërkon homologut britanik të ulë tensionet në Gjirin e Adenit

rezart morina