RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vendet e rajonit dënojnë sulmin iranian ndaj Izraelit

vendet-e-rajonit-denojne-sulmin-iranian-ndaj-izraelit

Krerët e autoriteteve nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova kanë reaguar ndaj sulmit të Iranit kundër Izraelit gjatë natës së kaluar, i cili sipas tyre mund të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në rajonin e Lindjes së Mesme, por edhe më gjerë, transmeton Anadolu.

Irani nisi mbrëmë sulme të gjera ndaj Izraelit, duke përdorur dronë kamikazë, raketa balistike dhe raketa lundruese. Derisa Irani pretendoi se ka goditur caqe të caktuara ushtarake, Izraeli tha se shumica e sulmeve u penguan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, siç njofton kabineti i tij, mbajti një konferencë për media lidhur me situatën në Lindjen e Mesme pas sulmeve iraniane në Izrael.

“E dënojmë këtë sulm siç i kemi dënuar edhe sulmet e mëparshme dhe siç do të dënojmë sulmet hakmarrëse eventuale që paralajmërohen. Dhuna shkakton dhunë dhe ky cikël i përsëritur hakmarrjeje e përshkallëzon në mënyrë të pakthyeshme situatën në rajon, e cila shumë lehtë mund të zgjerohet”, tha Osmani.

Ai bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune, sepse “nëse dhuna hakmarrëse nuk ndalet tani, situata do ta kalojë së shpejti pikën nga e cila nuk do të ketë kthim prapa”.

Osmani: Izraeli mban përgjegjësinë e vet për vuajtjet e civilëve në Gaza

Osmani iu referua edhe gjendjes shumë të rëndë të popullatës civile në Gaza ku që nga 7 tetori nga sulmet izraelite janë vrarë të paktën 33.686 palestinezë, duke theksuar se “Izraeli mban përgjegjësinë e vet për vuajtjet e civilëve e të cilën ne parimisht e dënojmë”.

“Nëse nuk parandalohen dinamikat e mëtutjeshme jashtëzakonisht negative, ka potencial të shndërrohet në luftë rajonale, e cila direkt ose indirekt do të ketë ndikim jashtë rajonit”, tha Osmani.

Sipas të dhënave me të cilat disponon ministria, njoftoi Osmani, në Izrael janë rreth 40-50 shtetas të Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe familjet e personelit diplomatik në Tel Aviv.

Ai po ashtu njoftoi se ka vendosur për formimin e një shtabi të krizës, kryesisht përgjegjës për organizimin e evakuimit të qytetarëve nga Izraeli dhe më gjerë nga Lindja e Mesme nëse lind nevoja.

Dje, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut u bëri apel shtetasve të vendit që të shmangin udhëtimet që nuk janë të domosdoshme për në Izrael, Iran, Liban dhe territoret palestineze.

Shqipëria reagon mbi sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në reagimin e tij në rrjetet sociale shkruan se Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit dhe shpreh shpresën se nuk do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm.

“Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe të ketë efekte të pakthyeshme në një shkallë më të gjerë”, shkruan Begaj.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, në rrjetet sociale ka shkruar se Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit.

“Ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit. Rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme. Këshillojmë shqiptarët në këtë rajon, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për përditësimet e sigurisë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë”, ka shkruar Hasani.

Kryeministri i Kosovës dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit

Në llogarinë e tij në platformën sociale X, Kurti tha se “ky akt i paprecedent paraqet rrezik serioz për destabilizimin e të gjithë rajonit”.

“Tani, më shumë se kurrë, bota duhet t’i japë përparësi përfundimisht armiqësive dhe nxitjes së paqes së qëndrueshme”, shkroi kryeministri Kurti.

Pas sulmit të mbrëmshëm të Iranit kundër Izraelit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi se është në komunikim me Ambasadën e Kosovës në Izrael.

Ministria u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë dhe të zbatojnë udhëzimet e sigurisë të publikuara nga autoritetet vendose ose të telefonojnë në numrin e kontaktit të ambasadës +972 58-634-0450 dhe +972 54-469-9799.

Related posts

Kurti bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza

admin

Etiopi, vdesin 30 refugjatë nga uria dhe kequshqyerja në rajonin Gambella

admin

Myftiu Tërnava dhe kryetari i Dijanetit, Ali ef. Erbash, vizituan Gjilanin

admin