RTV AHIRETI
KosovëLajmeRajon dhe Botë

Vendimi i Hagës dhe beteja që Kosova nuk duhet ta humbasë

vendimi-i-hages-dhe-beteja-qe-kosova-nuk-duhet-ta-humbase

Dhimbja dhe zemërimi të kuptueshme, por përgjigjja e duhur është rikthimi te faktet

Vendimi i Hagës për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, hap një nga kapitujt më të dhimbshëm të pasluftës në Kosovë.

Katër figura të rëndësishme të UÇK-së, morën dënime të rënda në një proces që prej vitesh ka qenë një nga çështjet më të debatueshme të drejtësisë ndërkombëtare për Kosovën. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vjet.

Por pasojat e këtij vendimi shtrihen përtej fatit të katër të dënuarve. Ai prek kujtesën e luftës, politikën kosovare dhe marrëdhënien e një pjese të shoqërisë me drejtësinë ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, hap një betejë të re mbi interpretimin e historisë së Kosovës, në të cilën rreziku është që dhimbja dhe zemërimi të shndërrohen në avantazh politik për ata që prej vitesh përpiqen ta paraqesin luftën e Kosovës vetëm përmes krimeve të kryera gjatë saj.

Sigurisht, reagimi emocional është mëse i kuptueshëm. Po flasim për një luftë që i mori jetën rreth 13 mijë shqiptarëve të Kosovës, la rreth 20 mijë gra e vajza të mbijetuara të dhunës seksuale dhe shkaktoi dëme materiale të pallogaritshme.

Është një histori vuajtjeje që nuk mund të fshihet dhe as të relativizohet. Por kjo fazë nuk duhet të zgjasë pa fund. Ndaj këshilla e parë në një rast të tillë shumë delikat është: zemërimi le të jetë njerëzor, por përgjigjja duhet të jetë racionale.

Shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë, të kundërshtojnë vendimin dhe të kërkojnë drejtësi për të dënuarit. Por reagimi duhet të mbetet paqësor dhe i matur.

Në vend të përplasjes emocionale me drejtësinë ndërkombëtare, duhet të rikthehemi te faktet, dokumentet dhe dëshmitë që tregojnë të gjithë historinë e luftës. Ndërkohë, duhet pritur edhe procesi i apelimit, i cili mund ta ndryshojë ose ta rishikojë këtë vendim.

Këshilla e dytë është të mos i dhurohet Serbisë një fitore politike që nuk e ka fituar në fushën e fakteve. Beogradi mund të përpiqet ta përdorë verdiktin si provë për narrativën se lufta e Kosovës ishte një projekt kriminal.

Përgjigjja shqiptare nuk duhet të jetë propaganda, por e vërteta e plotë. Krimet individuale duhen trajtuar nga drejtësia, ndërsa konteksti i luftës, viktimat, dëbimet, shkatërrimet dhe krimet e regjimit të atëhershëm serb nuk mund të zhduken nga historia.

Haga ka dhënë një verdikt. Por procesi juridik nuk ka përfunduar dhe historia e Kosovës nuk mbyllet me një vendim gjykate. Tani është koha për qetësi, dinjitet dhe fakte. Le të mos e kthejmë një vendim të rëndë e absurd në një fitore për Beogradin. tesheshi

Related posts

Lituania ngre një avion të NATO-s pas alarmit për një dron, objekti rezultoi balonë meteorologjike

admin

Kryeministri i palestinez: Ka konsensus ndërkombëtar për krijimin e shtetit të Palestinës

Muhamet Ramadani

Kryeministrja e Danimarkës: Përplasja për Groenlandën është në një moment vendimtar

admin