RTV AHIRETI
Agjërimi

VESVESET E SHEJTANIT DHE MBROJTJA PREJ TIJ

vesveset-e-shejtanit-dhe-mbrojtja-prej-tij

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kur dëshiron të lexosh Kur’anin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër djallit të mallkuar, sepse, në të vërtetë, djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre. Pushteti i djallit është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut”. (En-Nahl: 98-100)

Allahu njeriut ia krijoi një armik i cili ushqen armiqësi të egër ndaj birit të Ademit. Ky armik ec nëpër trupin e birit të Ademit sikur se gjaku dhe ka ndikim të madh dhe shumë hyrje deri tek zemra dhe gjoksi i njeriut. Ky armik është shejtani, të cilin Allahu e ngarkoi me një detyrë që ta shoqërojë të birin e Ademit prej lindjes e deri në vdekje. Shejtani njeriut tanë kohën i bën vesvese, kurthe, mëkatin ia zbukuron dhe parafytyron në mendjen e tij derisa kjo ngjall pasion, pastaj pasioni ngjall ide, ideja ngjall epsh, epshi ngjall dëshirë, dëshirë kjo e cila ia bën të harron dëmin dhe dënimin e mëkatit, para syve nuk sheh tjetër vetëm se mëkatin dhe kënaqësinë e tij, derisa shndërrohet në vendosmëri të pakundërshtueshme. I biri i Ademit atëherë e dërgon ushtrinë e tij në kërkim të mëkatit, ndërsa shejtani i dërgon ndihmë dhe mbështetje. Në rast se ushtria demoralizohet shejtani i jep kurajë të vazhdon, në rast se vonohet e nuk ngutet shejtani e nxit dhe i jep përkrahje, derisa e drejton robin ka mëkati duke ia organizuar takimin me të nëpërmjet hileve të zbukuruara dhe kurtheve të përsosura. Urvetu ibën Ruvejm, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Isa, alejhi selam, kërkoi prej Zotit të tij t’ia tregojë vendin e shejtanit në trupin e birit të Ademit. Kur iu paraqit vendqëndrimi i tij, e pa se kokën e kishte të gjarprit të vendosur mbi thelbin e zemrës, në rast se robi e përmendte Zotin e tij shejtani u fshehte, në rast se nuk e përmendte e vendonte kokën mbi thelbin e zemrës së robit, i fliste dhe i nxiste dëshira”.

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Ali ibën Husejnit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon se Safija, bashkëshortja e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, i ka treguar atij se ajo ka shkuar për të vizituar të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, në xhami, kur ai ka qenë në Itikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Ajo foli pak me të, pastaj u ngrit të kthehet në shtëpi. Edhe Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u ngrit dhe e shoqëroi atë deri te porta e xhamisë përballë derës së Umu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, kur dy burra nga ensarët kaluan andej dhe e përshëndetën të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam. Ai u foli: “Ngadalë! (Mos u nxitoni!) Ajo është (bashkëshortja ime), Safija bint Hujej!” Ata të dy thanë: “Subhanallah (Lavdi i qoftë Allahut! Si mund të guxojmë të mendojmë ndonjë ligësi), o i Dërguari i Allahut!” Ata e ndjenë këtë (dhe sikur u rënduan). Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u tha: “Shejtani shkon në çdo pjesë të trupit të njeriut ashtu si gjaku. Pata frikë se mos shejtani do t’ju shtie ndonjë mendim të lig në zemrat (e mendjet) tuaja.”

Po ashtu imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, e përcjell një hadith prej Ebu Hurejres, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur thirret ezani për namaz, shejtani ia mbath me të katra dhe nxjerr erë me zë, që të mos e dëgjojë ezanin. Kur mbaron thirrja e ezanit, ai kthehet prapë, por përsëri ia mbath të ikë kur thirret ikameti, por kur ai mbaron, ai përsëri vjen derisa pëshpërit në zemrën e njeriut (për t’ia hequr vëmendjen nga namazi) duke e bërë atë të kujtojë gjëra të cilat ai as nuk i kishte ndërmend përpara namazit duke i thënë: “Kujto këtë, kujto atë”, derisa njeriu vazhdon të falet duke e bërë të harrojë sa rekat namaz ka falur”.

Prandaj Allahu na urdhëroi të kërkojmë mbrojtje prej sherrit të shejtanit, ndërsa vesveset janë prej sherrit më të madh të tij.

Prej sherrit të tij po ashtu është vjedhja e pasurisë së njerëzve. Çdo ushqim ose pije ku në të nuk përmendet emri i Allahut shejtani e ka privilegjin që të vjedh hise prej tij. Në shtëpinë ku nuk përmendet emri i Allahut shejtani e ha ushqimin e njerëzve pa lejen e tyre dhe strehohet në shtëpi pa lejen e tyre. Ibën Ebi Dunja, Allahu e mëshiroftë, transmeton prej selefit se: “Një shejtan e kishte takuar një shejtan tjetër të cilit i thotë: Më dukesh shumë i dobët? I përgjigjet: Unë e shoqëroj një njeri tanë kohën i cili kur ha e përmend emrin e Allahut dhe unë nuk ha me të, kur pi e përmend emrin e Allahut dhe unë nuk pi me të, kur hy në shtëpi e përmend Allahun dhe unë rri jashtë, nuk mundem të hy në atë shtëpi. I thotë shejtani tjetër: Unë e shoqëroj një njeri i cili kur ha nuk e përmend emrin e Allahut dhe unë ha së bashku me të, kur pi nuk e përmend emrin e Allahut dhe unë pi së bashku me të, kur hy në shtëpi nuk e përmend emrin e Allahut dhe unë hy së bashku me të, kur bën marrëdhënie me gruan e tij nuk e përmend emrin e Allahut dhe unë bëj marrëdhënie me gruan e tij”.

Prej sherrit të tij po ashtu është se i shpalos të metat e njerëzve. E urdhëron robin të bën mëkat, pastaj u bën vesvese të tjerëve për mëkatin që e ka vepruar ky rob dhe në fund ata fillojnë të flasin për të dhe për mëkatin e tij.

Prej sherrit të tij po ashtu është se kur robi fle shejtani i lidh në kokë nyje të cilat e pengojnë të zgjohet për namaz. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Gjatë gjumit tuaj, shejtani i lidh gjithkujt tri nyje pas koke dhe i fryn çdo nyjës duke thënë: “Ke natë të gjatë, fli pra”. Kur ky njeri zgjohet dhe kujton Allahun, atëherë zgjidhet një nyje, në qoftë se merr avdes, zgjidhet edhe një nyje, në qoftë se falet, zgjidhet edhe nyja e fundit dhe ngrihet i gjallë dhe në gjendje të mirë shpirtërore; kurse në të kundërt, ngrihet në gjendje të keqe shpirtërore dhe i plogësht”.

Prej sherrit të tij po ashtu është se urinon në veshin e robit që të mos e dëgjojë ezanin dhe të flejë deri në mëngjes. Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, i përmendën një burrë dhe i thanë se ka fjetur deri në mëngjes vonë dhe nuk e ka falur namazin e agimit. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, tha: “Në veshin e tij ka urinuar shejtani”.

Prej sherrit të tij po ashtu është se i del të birit të Ademit përpara çdo rrugë të hairit dhe e pengon që të ecë nëpër të duke i vendosur pengesa dhe ndalesa të ndryshme që i ka në dispozicion. Mjafton prej sherrit të tij ajo që u betua në Allahun se do t’u zë pritë njerëzve në rrugën e Allahut, e do t’u qaset atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta. Sherri i tij arriti në atë gradë sa që e nxori Ademin, alejhi selam, prej Xhenetit dhe nuk u kënaq me kaq, por vazhdoi derisa e bëri kusht që prej njëmijë bijve të Ademit nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë do t’i hedh në Xhehenem. Edhe kjo nuk i mjaftoi derisa filloi të bëj kurthe e ta shkatërrojë thirrjen në fenë e Allahut në tokë duke synuar që ky të adhurohet përveç Allahut. Dëshira e tij më e madhe është që më tërë fuqinë e tij ta fikë dritën e Allahut dhe thirrjen në të, të thirr në shirk dhe ta fshijë teuhidin dhe të gjithë ata që thirrin në të.

Nuk mundemi që llojet e sherrit të tij t’i përkufizojmë duke e pasur parasysh se ai është shkak i të gjithë sherreve në botë, mirëpo themelet e çdo sherri të tij janë gjashtë ku i biri i Ademit mund të bie viktimë e njërës ose më tepër prej tyre.

Sherri i parë është sherri i kufrit dhe shirkut dhe armiqësisë ndaj Allahut dhe Pejgamberit, alejhi salatu ue selem. Shejtani mundohet njeriun ta bëjë mosbesimtar ose politeist, e nëse e arrin këtë e bën prej ushtarëve të tij dhe miqve të tij dhe prej thirrësve të Iblisit, e nëse nuk mund të arrijë këtë, kalon në fazën e dytë. Kjo është faza e risive (bidateve). Ai e mashtron njeriun duke e nxitur të shpikë dhe praktikojë bidate. Kjo është më e dashur tek ai se sa mëkatet dhe gjynahet, për shkak se kjo ia dëmton fenë dhe është vepër e vazhdueshme në të cilën vepruesi i saj mendon se vepron mirë dhe nuk pendohet prej saj, e në fakt kjo është mëkat dhe hapje e derës së kufrit dhe shirkut. Nëse arrin ta mashtrojë dhe ta bëjë prej pasuesve të risive atëherë e bën ushtar dhe shok të vetin, e nëse ky njeri edhe më tej është i përqendruar dhe është nga pasuesit e Sunetit, shejtani fillon fazën e tretë. Faza e tretë është faza e mëkateve të mëdha dhe mos dëgjueshmërisë. Shejtani është shumë i kujdesshëm që njeriun ta nxitë në veprimin e mëkateve të mëdha, posaçërisht nëse është prej dijetarëve të cilin e pasojnë njerëzit që kjo të ndikon në largimin e njerëzve prej tij, ose ta nxitë në përhapjen e mëkateve në shoqëri duke i bindur disa se kjo është rruga e drejtë dhe rruga që i afron tek Allahu, e në fakt kjo është rruga e Iblisit të mallkuar: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën”. (En-Nur: 19) Nëse nga kjo Allahu e mbron këtë njeri, shejtani edhe më tej nuk i humb shpresat. Kalon në fazën e katërt e cila është faza e mëkateve të vogla, të cilat nëse veprohen me të madhe dhe shtohen mund ta shkatërrojnë njeriun. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Keni shumë kujdes nga mëkatet që ju duken si të pavlera. Shembulli i mëkateve që ju duken të pavlera është si shembulli i një grupi njerëzve që kanë ndaluar në një luginë. Secili prej tyre mbledh degë pemësh derisa ato janë të mjaftueshme që të pjekin ushqimin e tyre. Po kështu janë edhe mëkatet që duken si të pavlera që kur mëkatari nuk i jep shumë rëndësi, ato e shkatërrojnë atë”.

Nëse edhe nga këto mëkate do të shpëtojë (d.m.th. nëse ka kujdes që të mos bëjë mëkate të vogla, por edhe nëse i bën, shpejton në kërkimin e faljes ose përgjithmonë e lë këtë mëkat), atëherë shejtani fillon me metodë të re e cila është edhe faza e pestë. Kjo është që shejtani e preokupon njeriun me gjëra të lejuara (mubah) për të cilat nuk ka as shpërblim e as dënim, mirëpo njeriun gjithmonë e pengon që të preokupohet me punë serioze. Nëse nuk mund ta përfitojë edhe në këtë fazë kalon në fazën e gjashtë. Kjo fazë përfshin gjendjen kur njeriu duke bërë punë të mirë e lë pas dore punën që është edhe më e mirë se kjo. Duke bërë mirë e lë atë punë që është shumë më e mirë. P.sh. duke vepruar sunetet i lë farzet, preokupohet me sunete e nuk i kryen farzet.

Shejtani kur nuk mundet të mbisundon mbi robin në të gjitha këto faza atëherë e përdor tërë ushtrinë e tij prej njerëzve dhe xhindeve duke e sulmuar të birin e Ademit me vesvese, kurthe, risi, devijime, degjenerime, etj., me qëllim që ta fikë dritën e Allahut dhe rrugën deri tek ajo. Besimtari në këtë rast e vendon parzmoren e luftës dhe nuk e largon prej tij deri në vdekje.

O muslimanë, frikojuni Allahut dhe bëhuni të kujdesshëm prej armikut të Allahut dhe armikut të juaj. Dijeni se ata që i bëjnë vesvese njeriut janë dy llojesh: Njerëz dhe xhinde. Xhindet bëjnë vesvese në gjoksin e njeriut dhe po ashtu njerëzit bëjnë vesvese tek njeriu. Prandaj Allahu na urdhëroi që të kërkojmë mbrojtje prej sherreve të dy llojeve të shejtanëve, njerëzve dhe xhindeve.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti i njerëzve, Sundimtari i njerëzve, i Adhuruari (i vetëm me të drejtë) i njerëzve, nga sherri i djallit cytës që fshihet (pasi cyt) e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve, (qoftë ai djall) prej xhindeve apo njerëzve!”. (En-Nas: 1-6)

Vëllezër besimtarë!

Allahu besimtarëve i dha përkrahje nëpërmjet ushtarëve të Tij prej melekëve të cilët e shoqërojnë të birin e Ademit tanë kohën, e përforcojnë, e mbrojnë me lejen e Allahut dhe e urdhërojnë për të mirë. Po ashtu ia dha mendjen të logjikojë, besimin t’i ndihmojë dhe përforcojë, bindjen t’i zbulojë të vërtetat dhe këtë sprovë me shejtanin nuk e bëri për shkak se njeriun e urren, por për shkak se atë e do dhe e ndihmon dhe dëshiron që t’ia ngrit gradat e tij dhe t’ia sprovojë sinqeritetin e besimit të tij: “Ne do t’ju vëmë në provë ju, derisa t’i njohim ata midis jush, që luftojnë (në rrugën e drejtë) dhe durojnë, e derisa të provojmë ato që thuhen për veprat tuaja”. (Muhamed: 31)

O muslimanë, Allahu prej mirësisë së Tij ndaj robit i bëri disa shkaqe të cilat e mbrojnë robin prej shejtanit dhe i ndihmojnë atij që nëpërmjet këtyre shkaqeve ta largojë shejtanin prej vetes. Në vazhdim do t’i përmendi dhjetë prej tyre:

  1. Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu prej shejtanit të mallkuar. (Duke thënë Eudhu bil-lahi mine shejtani rraxhim).
  2. Leximi i dy sureve: el Felek dhe Nas.
  3. Leximi i Ajetul Kursi (Bekare 255).
  4. Leximi i sures Bekare.
  5. Leximi i dy ajeteve të fundit prej sures Bekare (ajetet 285-286).
  6. Leximi i tre ajeteve të para të sures Gafir.
  7. Thënia njëqind herë në ditë: “La ilahe il-lAllahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul Hamdu ve Huve ala kul-li shej’in Kadir”. (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).
  8. Përmendje e shpeshtë e Allahut, e sidomos thënia e dhikrit të mëngjesit dhe mbrëmjes.
  9. Marrja e abdesit dhe falja e namazit.
  10. Largimi prej shikimit të ndalur, largimi prej bisedave të kota, largimi prej përzierjes me njerëz mëkatarë e të shëmtuar dhe largimi prej vendeve ku qarkullojnë shejtanët, si tregjet, etj.

 

Shejh Muhamed ibën Abdurrahman ibën Kasim

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 

 




Related posts

NJERËZIT AMBICIOZË DHE TË SUKSESSHËM NË PROJEKTE (2)

admin

VLERA E MUSLIMANIT

admin

VEPRA TË MIRA NË RAMAZAN

rezart morina