Derisa zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës kanë konfirmuar se deri tani vetëm një automjet është regjistruar me targa RKS në katër komunat veriore të vendit, qytetarët serbë të asaj pjese kryesisht nuk preferojnë të flasin publikisht rreth zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e automjeteve që posedojnë targa ilegale KM, PR etj, me targa RKS.
Shumica prej tyre frikësohen të shprehin lirshëm mendimin e tyre rreth kësaj çështjeje.
Prapa kamerës pranojnë se me dëshirë do t’i kishin regjistruar automjetet, por megjithatë janë të detyruar nga grupe të caktuara të mos e bëjnë një gjë të tillë dhe të veprojnë sipas urdhrave të Beogradit, andaj thonë se janë të frikësuar dhe nuk dinë si të veprojnë.
Dy qytetarë serbë nga rajoni i Pejës, të cilët KosovaPress-i, i ka takuar në veri të Mitrovicës, duke folur në kushte anonimiteti, kanë bërë të ditur se serbët në jug dhe veri të Kosovës, fatkeqësisht nuk po trajtohen njësoj nga shteti.
Sipas tyre, serbët e veriut janë më shumë të privilegjuar sesa serbët të cilët jetojnë nëpër zonat tjera.
“Ka kohë që ne nuk mundemi të vozisim automjetet tona me targa të vjetra PE, por jemi detyruar t’i regjistrojmë ato në RKS – 03, ndërsa këtu shohim pothuajse të gjithë vozisin me KM. Kjo nuk është e drejtë, dhe mendojmë se serbët e veriut po tolerohen më shumë sesa duhet. Është e thjeshtë kjo punë, jemi duke jetuar në shtetin e Kosovës dhe nëse duam të vazhdojmë jetën këtu, atëherë duhet t’i respektojmë ligjet e këtij shteti”, thanë këta dy qytetarë.
Ndërkaq, ata qytetarë të pakët të cilët pranuan të flasin publikisht, janë të ndarë në mendime nëse duhet ose jo t’i regjistrojnë automjetet me targa të Republikës së Kosovës.
Njëri prej tyre me emrin Zoran nga veriu i Mitrovicës, u shpreh i vendosur se nuk do t’i ndërrojë targat KM.
Sipas tij, ndonëse qëndrimi i Beogradit për t’i mos ndërruar targat, është vështirë të realizohet, megjithatë ai do ta zbatojë këtë qëndrim, duke i mbajtur targat e vjetra KM në automjetin e tij.
Ai shton nëse policia ia marrin automjetin pas afatit të paraparë për regjistrim, do të vozisë trotinet.
“Po flas në emrin tim, unë nuk do t’i ndërrojë targat, jo nuk dua… Lehtësimet financiare janë vetëm çamçakëz për fshatar (karem v.j.), nuk dua thjeshtë…Edhe nëse Beogradi urdhëron të mos i regjistrojmë, është e vështirë, sepse me kokë muri nuk shtyhet, por ta regjistrojë me vetiniciativë, as që më shkon mendja… Nëse ma marrin automjetin do të vozisë trotinet”, theksoi Zorani.
Rafet Shaboviq, student i mjekësisë në veri të Mitrovicës, thotë se targat duhet të ndërrohen dhe vendimi i Qeverisë së Kosovës duhet të respektohet.
“Qëndrimi im është relativisht neutral. Unë jam krejtësisht pacifist dhe nuk kam qëndrime të ashpra. Mendoj se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në rregull, por nëse dikujt nuk i konvenon, çka të bëhet. Targat mund të ndërrohen, pse jo, mendoj se duhet dhe gjithçka është në rregull. Pra, mendoj se vendimi duhet të respektohet”, u shpreh Shaboviq.
Edhe një qytetare tjetër nga veriu i Mitrovicës, e cila u prezantua me emrin Kruga, ka nënvizuar se do të dëshironte që të gjitha targat të jenë të njëjta, duke aluduar në ato RKS.
“Sa më përket mua, unë kisha dashur që të jetë ashtu siç duhet dhe të gjitha targat të jenë të njëjta”, tha ajo.
Në anën tjetër, Jeta Tela-Shema, shefe e kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, ka bërë të ditur për KosovaPress, se deri në ditën e gjashtë prej kur ka filluar procesi, janë regjistruar me targa RKS gjithsej tre automjete, një në komunën e Dragashit, një në Prizren dhe një në Leposaviq.
Sipas saj, rasti në Leposaviq është shoqëruar me incident pasi pronarit të automjetit të regjistruar me targa RKS, që është pjesëtar i Policisë së Kosovës, i është djegur një pjesë e shtëpisë të njëjtën ditë.
Ajo potencoi se në veri të vendit përkundër interesimit të qytetarëve, po zhvillohet një propagandë nga Beogradi, e që ka për qëllim frikësimin e qytetarëve.
Megjithatë, shtoi ajo se Qeveria e Kosovës është e pakompromis në këtë drejtim, në mënyrë që ky proces të përfundojë me sukses, ndërsa ka bërë thirrje te qytetarët për bashkëpunim me organet e rendit dhe rastet e kërcënimeve t’i raportojnë.
“Ajo çfarë mund të them është se në të gjitha qendrat ka pasur interesim të qytetarëve, por natyrisht interesimi më i madh është në pjesën e komunave në veri, ku konsiderohet se mund të ketë numër më të madh të targave ilegale që duhet të kthehen në targa RKS. Sot është dita e gjashtë e punës dhe kemi tre automjete të cilat tashmë janë kthyer në targa RKS, një është në komunën e Dragashit, një në Prizren dhe një në komunën e Leposaviqit…Më duhet të theksoj se në veri përkundër interesimit të qytetarëve shihet që ka një propagandë e cila vjen direkt edhe nga Serbia dhe fatkeqësisht ne kemi një incident, do të thotë vetura e parë që është regjistruar në veri, konkretisht në Leposaviq, një rreshter policor i Kosovës ka bërë kthimin në targa RKS dhe të njëjtit në orët e mbrëmjes i është sulmuar shtëpia, i është djegur një pjesë e saj, dhe kjo padyshim ka për qëllim frikësimin e qytetarëve të asaj ane. Por ne jemi të përkushtuar dhe të pakompromis që të përfundojmë me sukses këtë proces, duke iu bërë thirrje edhe qytetarëve që të raportojnë çfarëdo kërcënimi që ata mund të kenë nga strukturat e ndryshme kriminale që të mos i regjistrojnë targat”, ka thënë Tela-Shema.
Ajo nuk ka dhënë një numër të saktë të automjeteve me targa ilegale të cilat aktualisht qarkullojnë në katër komunat veriore, duke thënë se në periudha të ndryshme kohore disa prej tyre janë regjistruar me targa të Republikës së Kosovës.
Sa i përket automjeteve të cilat do të mbeten të paregjistruara edhe pas afatit të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, Shema tha se ato nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare.
“Fokusi i MPB-së është që ne t’i marrim të gjitha veprimet dhe të punojmë bashkë për informim të drejtë dhe transparent për qytetarët në mënyrë që kjo të mos ndodhë, do të thotë të kemi një numër të madh të targave që do të kthehen në targa RKS, por natyrisht ky proces ka edhe një fund që është data 31 tetor dhe pas kësaj date është legjislacioni në fuqi që parasheh se të gjitha automjetet të cilat nuk janë të regjistruara nuk do t’iu mundësohet qarkullimi në Republikën e Kosovës apo në pikalimet kufitare”, theksoi për KosovaPress Tela-Shema.
Ndryshe, vendimi i ekzekutivit për targat ka filluar të zbatohet nga 1 shtatori dhe qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i rikthejnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës, ndërsa mbetet të shihet nëse ky vendim do të zbatohet nga ana e qytetarëve apo afati do të shtyhet sërish.