RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Vitin e kaluar u dogjën 14 automjete në veri – asnjë i arrestuar

vitin-e-kaluar-u-dogjen-14-automjete-ne-veri-–-asnje-i-arrestuar

Gjatë vitit 2022, 14 automjeteve u është vënë flaka në komunat në veri të vendit, shumica prej të cilave kanë qenë nën pronësinë e qytetarëve serbë.

Kështu është bërë e ditur nga Policia e Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim për Telegrafin ku bëhet e ditur se tri nga veturat e djegura kanë qenë me targa RKS, katër me targa të Serbisë dhe dy të tjera me targa ilegale KM.

“Gjatë vitit 2022 në komunat veriore rezultojnë se janë djegur gjithsej 14 automjete prej të cilave: nëntë vetura (tri vetura me targa RKS, katër me targa të Serbisë, dy vetura me targa ilegale KM nga pjesa veriore)si dhe pesë kamionë (tre kamionë me targa RKS dhe dy kamionë pa targa të cilët kanë qenë në barrikada)”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Vetëm në Komunën e Mitrovicës së veriut janë djegur tri vetura të qytetarëve serbë si dhe dy kamionë, të cilët kanë qenë të vendosur gjatë barrikadave.

“Komuna Mitrovicë e veriut – Një veturë me targa KG (Serbi) ankuesi i nacionalitetit serb, një veturë me targa KM (targa ilegale në pjesën veriore) – ankuesi i nacionalitetit serb, dy kamionë pa targa – s’ka ankues (kamionë të cilët kanë qenë në barrikada) dhe një veturë me targa BG – ankues i nacionalitetit serb”, kanë thënë nga policia.

Në Leposaviq janë djegur katër vetura të qytetarëve serbë – dy prej të cilave kanë pasur targa RKS.

“Komuna Leposaviq – Një veturë me targa RKS – ankues i nacionalitetit serb, një veturë me targa BG – ankuesi i nacionalitetit serb, Një veturë me targa KM (targa ilegale në pjesën veriore) – ankuesi i nacionalitetit serb dhe një veturë me targa RKS – ankuesi i nacionalitetit serb”.

Dy vetura dhe tre kamionë janë djegur edhe në Zubin Potok – prej tyre vetëm një ka pasur targa të Serbisë.

“Komuna Zubin Potok – një veturë me targa RA (Serbi) – ankuesi i nacionalitetit serb, tre kamionë me targa RKS – ankuesi i nacionalitetit shqiptar dhe një veturë me targa RKS – ankuesi i nacionalitetit serb”.

Ndërsa sa i përket vitit 2023, policia ka njoftuar se nuk rezulton i raportuar asnjë rast i zjarrvënies së veturave.

Ndryshe, rastet më të shpeshta të djegies së veturave në veri kanë ndodhur në kohën kur qytetarët serbë kanë nisur konvertimin e targave të tyre nga ato që lëshohen nga Serbia në RKS. Kjo pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që mos lejojë qarkullimin e veturave me targa ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

E Ministria e Punëve të Brendshme ka fajësuar Serbinë dhe strukturat “ilegale” në veri, se po tentojnë të frikësojnë qytetarët, që po i konvertojnë targat.

“Propaganda e krerëve të shtetit serb, përfshirë presidentin e Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, dhe veprimet e strukturave ilegale ekstremiste e grupeve kriminale janë të koordinuara dhe në shërbim të njëra-tjetrës drejt qëllim të frikësimit të qytetarëve tanë në veri”, kanë deklaruar nga ky dikaster.

Related posts

Zelensky thotë se Ukrainës i duhen më shumë avionë F-16

rezart morina

Escobar: Mbështetje për integritetin dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës

admin

”Procesi i Vettingut në drejtësi ka filluar rrugën drejt finalizimit”

admin