Një tjetër gazetar palestinez u vra në një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës të hënën, duke e çuar numrin e gazetarëve të vrarë që nga tetori në 142, njoftoi Zyra e Qeverisë për Media në Gaza.
“Mustafa Ayad, një fotoreporter, humbi jetën në një sulm në shtëpinë e tij në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës”, tha Zyra për Media në Gaza.
Më shumë se 34.600 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Lufta e Izraelit ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Rripit të Gazës në zhvendosje të brendshme me mungesë akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas Kombeve të Bashkuara.
Izraeli akuzohet për gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të siguruar që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza.