Një palestinez u qëllua për vdekje nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar sot, njoftoi Ministria palestineze e Shëndetësisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria tha në një deklaratë se rasti ka ndodhur pranë qytetit Silwad, në veri të Ramallahut, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Dëshmitarët okularë i kanë thënë agjencisë shtetërore të lajmeve Wafa se një 45-vjeçar u qëllua pas një sherri verbal me ushtarët izraelitë dhe u dërgua në spital, ku u shpall i vdekur.
Ndërkohë, Kanali 12 i Izraelit raportoi se një palestinez u qëllua në një sulm të dyshuar me thikë.
Ushtria izraelite nuk ka bërë asnjë koment.
Të shtunën, tre palestinezë u vranë nga të shtënat e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 13 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite që nga fillimi i këtij viti.