Një rrjet i trafikut të organeve njerëzore është shkatërruar në Pakistan. ‘Si karrem’ u përdor një 14-vjeçar, i cili ishte zhdukur prej disa javësh dhe si përfundim u zbulua se i ishte hequr veshka.
Mediat e huaja shkruajnë se trafikantët joshin viktimat e tyre, të cilët janë kryesisht në moshë të re dhe të pambrojtur, me premtimin e punëve fitimprurëse.
Pasi i peshkojnë ata i hiqin organe të caktuara, kryesisht veshkat, të cilat i shesin deri në 900,000 rupi (3,600 euro).
“Vetëm kur e gjurmuam atë, zbuluam se pas zhdukjes së djalit qëndronte një operacion i trafikimit të organeve”, tha Rehan Anzoom për AFP, zëdhënës i policisë, në policinë lindore-qendrore të provincës Punjab.
“Djali na tha se kur u zgjua një burrë arab ishte në një barelë pranë tij, kështu që ne besojmë se shumica e klientëve ishin të huaj”, tha Anzoom, duke shtuar se gjashtë persona janë arrestuar.
Viktimat po dërgoheshin në një laborator sekret të transplantit të organeve në Raëalpindi, pranë kryeqytetit Islamabad.
Laboratorë të tillë klandestinë në Pakistan në shumicën e rasteve nuk kanë pajisjet mjekësore ose ekspertizën e nevojshme për një transplant, dhe pacientët kanë vdekur nga komplikimet.
“Jam mirënjohës që policia e gjeti atë në kohë”, i tha AFP babai i djalit që ishte zhdukur.
Policia tha se ende nuk i ka identifikuar mjekët e përfshirë në operacion.
Ndërsa kujtojmë se Pakistani e ndaloi tregtinë e organeve njerëzore në vitin 2010, e cila dënohet maksimalisht me 10 vjet burg. /joq