Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përjashtuar një marrëveshje paqeje me Rusinë nëse ajo nuk i tërheq trupat e saj nga Ukraina, raportoi të enjten BBC-ja.
Pas bisedimeve të mbajtura më 18 gusht me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres në Lviv, Zelensky ka thënë se është befasuar kur dëgjoi nga lideri turk se Rusia është e gatshme për paqe.
“Së pari duhet të largohen nga territori ynë dhe më pas do të shohim”, ka thënë Zelensky në konferencën e mbajtur pas takimit.
Erdogan është shprehur i gatshëm të ndërmjetësojë bisedimet e paqes midis Moskës dhe Kievit, duke thënë se presidentët e Ukrainës dhe Rusisë ndajnë të njëjtin mendim me të, se lufta do të përfundojë në tryezën e bisedimeve.
“Unë vazhdoj të besoj se lufta do të përfundojë në tryezën e bisedimeve. Z. Zelenskyy dhe z. Putin janë të të njëjtit mendim. E gjithë çështja është përcaktimi i rrugës më të shkurtër dhe më të drejtë për në tryezën e bisedimeve”, tha Erdogan. /koha