Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy akuzoi Rusinë për planifikimin e sulmeve ndaj objekteve të energjisë bërthamore në vend, raporton Anadolu.
“Kohët e fundit kam marrë një tjetër raport alarmues nga inteligjenca jonë. Tani (Presidenti rus Vladimir) Putin duket se po planifikon sulme ndaj termocentraleve tona bërthamore dhe infrastrukturës së tyre, duke synuar shkëputjen e termocentraleve nga rrjeti elektrik”, tha Zelenskyy duke iu drejtuar sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.
Zelenskyy më tej akuzoi Rusinë për përdorimin e satelitëve nga vende të tjera për të mbledhur informacion të detajuar, duke thënë se çdo sulm me dron ose raketë në sistemin energjetik të Ukrainës mund të çojë në “katastrofë bërthamore”.
“Një ditë si ajo nuk duhet të vijë kurrë. Moska duhet ta kuptojë këtë dhe kjo varet pjesërisht nga vendosmëria juaj për të ushtruar presion ndaj agresorit (Rusisë)”, tha Zelenskyy në Asamblenë e Përgjithshme.
“Këto janë uzina bërthamore. Ato duhet të jenë të sigurta”, shtoi ai.
Të martën, Zelenskyy pohoi gjatë një fjalimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Rusia po përgatitet të shënjestrojë tre nga termocentralet e saj bërthamore.
Në të njëjtën ditë, Zelenskyy akuzoi gjithashtu Moskën për përdorimin e satelitëve kinezë për të fotografuar objektet e energjisë bërthamore të Ukrainës.
As autoritetet ruse dhe as ato kineze nuk i kanë komentuar ende pretendimet e Zelenskyyt.