Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se kufomat e gjetur në varrezat masive në qytetin Izium, i cili u rimor së fundmi nën kontrollin e forcave ukrainase, mbajnë shenja torture, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Sot tashmë ka prova të mizorive të mëtejshme të kryera gjatë pushtimit rus. Kufoma i një personi, i cili ishte mbytur me litar, është varrosur me të në qafë. Ka kufoma me krahë të thyer dhe shenja të tjera abuzimi”, tha Zelenskyy në një video-adresim.
“Një varr masiv me ushtarë të vrarë, 17 kufoma, disa prej tyre me gjurmë të dukshme të torturës. Bota duhet ta shohë atë sot”, shtoi ai.
Zelenskyy theksoi se bota duhet ta dijë se “Rusia lë gjurmë të tilla mizorish, gjurmë terrori kudo në territorin e pushtuar”, duke shtuar: “Ju e keni parë Bucha-n. Ju keni parë Mariupolin. Tani Iziumin”.
Ai përsëriti thirrjen e tij për njohjen e Rusisë si një “shtet-sponsorizues të terrorizmit”.
“Rusia tashmë është bërë burimi më i madh i terrorizmit në botë dhe asnjë fuqi tjetër terroriste nuk lë pas kaq shumë vdekje. Kjo duhet të njihet ligjërisht. Ne duhet të veprojmë”, shtoi ai.
Zelenskyy tha se mosnjohja e Rusisë si “shtet-sponsorizues i terrorizmit” do të ishte “një tradhti ndaj të gjithë atyre që u vranë, që u torturuan dhe që u varrosën në varre të shumta masive në të gjithë territorin e pushtuar nga rusët”.