RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Zelenskyy thekson nevojën për “marrëdhënie të forta” me Sllovakinë

zelenskyy-thekson-nevojen-per-“marredhenie-te-forta”-me-sllovakine

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka theksuar nevojën për “marrëdhënie të forta” mes Kievit dhe Bratislavës gjatë një bisede telefonike me kryeministrin sllovak, Robert Fico, transmeton Anadolu.

“Ne kemi nevojë për marrëdhënie të forta mes vendeve tona dhe të dy jemi të interesuar për këtë”, tha Zelenskyy në rrjetin social amerikan X pas telefonatës.

Zelenskyy tha se është inkurajuese që Sllovakia mbështet përpjekjen e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian (BE) dhe është e gatshme të ndajë përvojën e saj të anëtarësimit.

Presidenti ukrainas tha se e kishte ftuar kryeministrin sllovak për vizitë në Kiev dhe e falënderoi atë për ftesën për të vizituar Bratislavën.

“Ekipet tona do të punojnë për caktimin e datës”, shtoi ai.

Telefonata vjen pas një krize diplomatike disamujore mes Kievit dhe Bratislavës lidhur me ndërprerjen e transitit të naftës bruto ruse përmes seksionit jugor të tubacionit Druzhba që nga fundi i janarit.

Ukraina tha se ndërprerja u shkaktua nga një sulm rus.

Megjithatë, Sllovakia dhe Hungaria fqinje akuzuan Kievin se kishte ndaluar qëllimisht dërgesat e naftës ruse përmes tubacionit për të fituar avantazh politik dhe si përgjigje ndërmorën masa të ndryshme, përfshirë pezullimin e eksporteve të naftës drejt Ukrainës.

Në fund të muajit të kaluar, Sllovakia konfirmoi se furnizimet me naftë bruto përmes tubacionit Druzhba kishin rifilluar, pasi Ukraina tha se kishte përfunduar riparimet në seksionin e dëmtuar të tubacionit.

Rifillimi i furnizimeve çoi më pas në zhbllokimin e një pakete kredie prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, të miratuar nga Këshilli Evropian në dhjetor të vitit të kaluar.

Kredia ishte bllokuar nga Hungaria, e cila nën kryeministrin në largim, Viktor Orban, kërkonte që Ukraina të rikthente transitin e naftës ruse përmes tubacionit para se të hiqte veton ndaj disbursimit.

Ndërkohë, Fico kishte deklaruar se vendi i tij do të “rishqyrtojë qëndrimin e deritanishëm konstruktiv” lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në BE nëse Kievi vazhdon të “dëmtojë interesat e Sllovakisë në furnizimin me lëndë të para strategjike”.

Related posts

Turqi: Kandidati presidencial Kılıçdaroğlu voton në Ankara

admin

25 të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza, armëpushimi në rrezik

RTI

Aktivistët e klimës zotohen të vazhdojnë protestat kundër minierës së qymyrit në Gjermani

admin