Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se është kundër vazhdimit të kufizimeve të Bashkimit Evropian (BE) ndaj eksporteve të drithit të Ukrainës, transmeton Anadolu.
Zelenskyy në Samitin e Iniciativës së Tre Detërave në të cilin mori pjesë përmes internetit mbrojti idenë e tij se politika në Evropë bie ndesh me thelbin e saj, injoron përgjegjësitë dhe vlerat e përbashkëta dhe se për këtë arsye të gjithë kanë pësuar humbje.
Ai tërhoqi vëmendjen se 5 vende të BE-së kanë kufizuar importin e drithit nga Ukraina. “Ukraina është absolutisht kundër vazhdimit të çdo lloj kufizimi ndaj eksportit të drithit në të ardhmen. Çdo kufizim kundër eksporteve të Ukrainës, nënkupton zgjerimin e shkatërrimeve që kanë shkaktuar terroristët rusë”, tha Zelenskyy.
Duke iu drejtuar Komisionit Evropian, Zelenskyy tha se vendi i tij nuk ndërhyn ndaj konkurrencës së lirë. “Nuk do të pranojmë shkeljen e premtimeve që na janë bërë, të kushteve të tregut të lirë të Marrëveshjes së Asociimit. Institucionet evropiane nuk duhet të shtojnë zhgënjimin në Evropë. Duhet të rrisim besimin ndaj deklaratave dhe premtimeve të bëra nga Evropa”, theksoi ai.
Zelenskyy pasi tërhoqi vëmendjen se Ukraina lufton në terren për vlerat evropiane, shtoi “Por, nëse është e nevojshme të luftojmë në gjykatat e arbitrazhit për Ukrainën dhe bazat e përbashkëta evropiane, ne e bëjmë këtë edhe pse nuk duam. Nëse është nevojshme luftojmë në platformat e organizatave ndërkombëtare”.
Në qershor BE-ja zgjati kufizimin e Polonisë, Hungarisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Bullgarisë për importet e drithit nga Ukraina deri më 15 shtator.