RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Zhdukja e llojeve një nga rreziqet më të mëdha për njerëzimin

zhdukja-e-llojeve-nje-nga-rreziqet-me-te-medha-per-njerezimin

Kriza e diversitetit rrezikon të ardhmen e njerëzimit. Aktualisht po zhvillohen bisedime për arritjen e një marrëveshjeje të re ndërkombëtare për ruajtjen e diversitetit. Për çfarë bëhet fjalë në të?

Përditë para syve tanë ndodhin vrasje masive- por ne nuk i vërejmë ato sepse zhvillohen pa bërë zë. Zhdukja e llojeve nuk dërgon peticione online, nuk organizon demostrata dhe shpesh ne nuk i njohim fare llojet. Nga rreth tetë milionë lloje kafshësh, bimësh dhe kërpudhash që ndodhen në tokë, shkencërisht janë përshkruar vetëm një pjesë e vogël, thotë Këshilli ndërkombëtar për biodiversitetin IBPES.

Por situata është dramatike sa më s’bëhet: Në vitin 2030, thotë shkenca, bota mund të përfundojë me një milionë lloje më pak, sepse çdo dhjetë minuta zhduket një lloj kafshe ose bime. Kjo është fatale, sepse një botë e varfëruar është një botë e rrezikshme, edhe për ne njerëzit.

Rreth 200 shtete duan që në konferencën e 15-të të OKB që do të mbahet në Kanada, të vendosin një marrëveshje të re kornizë për mbrojtjen e diversitetin. Këtë javë në Nairobi të Kenias janë duke u bërë përgatitjet për tekstin përfundimtar të marrëveshjes. A do arrijë komuniteti ndërkombëtar të ndalojë krizën e llojeve? Pse është kjo kaq e rëndësishme dhe çfarë e ka penguar deri tani mbrojtjen efikase?

Çfarë do të thotë biodiversitet – dhe humbje e tij?

“Ajri që thithim, uji që pijmë, ushqimi dhe veshja, lëndët djegëse, lëndët e ndërtimit (…) ose medikamentet, tek kjo shumëllojshmëri burimesh që natyra na ka vënë në dispozicion bazohet jeta jonë, shëndeti ynë, ushqimi ynë, mirëqënia jonë”, thuhet në një raport aktual të rrjetit studimor për diversitetin, Leibniz.

Më shumë se dy të tretat e frutshmërisë së botës, mes të cilave shumë perime dhe fruta, kafe dhe kakao, varen nga pjalmimi natyror që bëhet prej insekteve. Nëse ato mungojnë, atëherë oferta ushqimore për njeriun do të binte shumë. Që sot, një e treta e gjithë llojeve të insekteve rrezikohen nga zhdukja.

Edhe për mjekësinë do të ishte katastrofale humbja e madhe e shumëllojshmërisë biologjike, sepse medikamentet vijnë nga natyra, përshembull ato përbëjnë 70 përqind të medikamenteve që përdoren vetëm për trajtimin e kancerit.

“Në shumëllojshmërinë biologjike njohuritë e 3,5 miliardë vjetëve janë ruajtur natyrisht tek evolucioni,” shpjegon Klement Tockner, profesor i shkencave ekologjike dhe drejtor i përgjithshëm i Shoqatës Senckenberg. “Humbja e mëtejshme e kapitalit tonë natyror paraqet rrezik të madh për gjithë njerëzimin, sepse kur humbet një herë ka humbur për gjithnjë.”

Cila është arsyeja e zhdukjes së llojeve në gjithë botën?

Ne njerëzit, ose thënë më mirë, mënyra si jetojmë ne dhe si e ekonomisim botën. Siç tregon Dita e ngarkimit të botës, fushata e përvitshme që organizon rrjeti Global Footprint, ne i marrim botës çdo vit shumë më tepër se sa është ajo në gjendje të riprodhojë.

Nëpërmjet bujqësisë, zënies së sipërfaqeve për infrastrukturën, çpyllëzimit, peshkimit pa masë, lëshimit në natyrë të lëndëve helmuese si dhe nëpërmjet përhapjes nga njeriu të specieve pushtuese, niveli i zhdukjes së llojeve është sot 1000 herë më i madh se sa do të ishte pa ndikimin e njeriut.

Disa lloje më pak – a përbën kjo vërtet problem të madh?

Gjatë evolucionit janë zhdukur gjithnjë e më shumë lloje. Por asnjëherë nuk ka pasur humbje kaq të madhe llojesh në një periudhë kaq të shkurtër sa tani. Kështu për shembull, nga 1974 deri 2014 gjendja e vertebrorëve ka rënë në gjithë botën me 60 përqind, në Amerikën Qendrore dhe Jugore madje me 90 përqind, thotë Qendra Federale gjermane për edukimin politik, Bundeszentrale für politische Bildung. Numri i llojeve që jetojnë në ujrat e ëmbla është reduktuar gjatë të njëjtës periudhë me 83 përqind. Deri 39 përqind e llojeve të bimëve vlerësohen si të rrezikuara nga zhdukja.

Sa shumë ndikojnë këto humbje brenda një lloji për ne njerëzit, e përshkruan Johannes Vogel, profesor për biodiversitetin dhe Drejtor i Përgjithshëm i Muzeumit berlinez të Natyrës: “Meqenëse për shkak të Ndryshimit të klimës kërpudhat janë duke u përhapur, janë duke u zhdukur në gjithë botën bretkosat. Bretkosat hanë miskonja dhe shumë larva miskoshash, kështu që në të ardhmen do të kemi më shumë miskonja. Miskonjat janë organizmat që shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve në botë.” Vetëm nga sëmundja infektive e malarjes, që trasmetohet prej miskonjave, vdesin një milionë vetë në vit.

Si i vë në rrezik njeriu sisteme të tëra ekologjike

Humbja e shumëllojshmërisë biologjike prek jo vetëm kafshët, bimët dhe kërpudhat dhe pellgjet e tyre gjenetike, por edhe sistemet ekologjike dhe bujqësinë. Një system ekologjik është ndërveprimi midis llojeve të caktuara midis njëri tjetrit dhe ambientit të tyre. Nëse një system ekologjik është i paprekur, atëherë ai vetë rigjenerohet nga dëme të caktuara, si të thuash “shërohet”.

“Por sa më shumë që ne reduktojmë artet, aq më i prekshëm nga çrregullimet bëhet një sistem,” thotë Andrea Perino nga Qendra Gjermane për studimin e biodiversitetit integrativ

Një shembull për humbjen e sistemeve ekologjike të paprekura janë pyjet tropikale të rajoneve të Amazonës. Pas çpyllëzimit masiv të bërë dekadat e kaluara për të mbjellë foragjere, për të shtuar kafshët ose rrëmbyer pasuritë tokësore, pyjet e mbetura të Amazonës e kanë gjithnjë e më të vështirë të rigjenerohen nga dëmet, thotë një studim aktual gjermano- britanik . Dhe kjo nga ana e vet shton rrezikun e zhdukjes së gjithë pyjeve tropikale të Amazonës.

Pse është kaq e vështirë mbrojtja e diversitetit?

Që në vitin 1992, është vendosur në Konferencën e OKB për Ambientin dhe Zhvillimin (UNCED) mbajtur në Rio de Zhaneiro marrëveshja ndërkombëtare për mbrojtjen e shumëllojshmërisë biologjike, Convention on Biological Diversity (CBD).

178 shtetet që e kanë nënshkruar deklarojnë aty se do të nxisin mënyrën e qëndrueshme të jetës dhe ekonomisë, në mënyrë që të mos kapërcehet aftësia e burimeve natyrore për rigjenerim. Pas saj ka patur konferenca dhe marrëveshje të tjera. Por asnjë nga synimet e vendosura nuk është arritur deri më sot as për fillim, thotë një raport i fundit i CBD.

Problemi është se shtetet duhet të përpilojnë synimet e veta për mbrojtjen e biodiversitetit, thotë Andrea Perino nga iDiv. Por shumë nga këto synime kombëtare kanë qenë pjesë e deklaratës që ka të bëjë me qëllimet jo me marrjen e masave konkrete, sidomos në vendet e industrializuara.

Deri më sot nuk ka pasur instrumenta për të matur në përgjithësi zbatimin e synimeve. “Shpesh nuk është fare e qartë, nëse masat që merren për mbrojtjen e biodiversitetit sjellin gjë, apo duhen përmirësuar. Ne na nevojitet urgjentisht monitorimi gjithëpërfshirës.”

Pse flasim më shumë për klimën se sa për natyrën?

“Ndërkohë që ne i kemi vënë vetes synim në krizën e klimës që të ulim ngrohjen e në 1,5 gradë, lufta kundër krizës së natyrës është shumë më komplekse, ajo nuk mund të reduktohet në një fjalë kryesore”, thotë Nicola Uhde, eksperte për politikat globale për biodiversitetin në organizatën ambientaliste, BUND. Dhe: “Ndërgjegjësimi për vlerat e natyrës krijohet shpesh vetëm me humbjen e saj.”

Ndryshe nga përmbytjet, thatësira ose akullnajat që shkrijnë, bretkosat që ngordhin nuk arrijnë në titujt e gazetave. Ndërkohë që kriza e klimës dhe ajo e specieve ndezin reciprokisht njëra tjetrën: Kur priten pyjet ose thahen myshqet, ato jo vetëm që zhduken si sisteme ekologjike bashkë me llojet e tyre, por ato gmungojnë edhe si magazinuesa të CO2-, gjë që nga ana e vet shton ngrohjen e tokës.

Prandaj të dyja krizat duhet të trajtohen bashkë, mendon Klement Tockner nga Shoqata Senckenberg. “Rinatyralizimi, si riujimi i myshqeve, nuk ndihmojnë vetëm shumëllojshmërinë biologjike, por ndihmojnë edhe klimën.”

Cilat janë pikat kryesore të COP15?

Në bisedimet paraprake, që po mbahen në kuadër të Konferencës së OKB për Biodiversitetin të Kanadasë, 200 shtete kanë deklaruar mes të tjerash që në të ardhmen do të vendosin 30 përqind të sipërfaqes tokësore dhe ujore të botës nën mbrojtjen natyre.

Kjo tingëllon mirë, thotë Andrea Perino, “çfarë kihet parasysh me këtë “mbrojtje”? Ekzistojnë kategori të forta dhe të buta mbrojtjeje. Dhe shpesh natyra nuk rikthehet në ekuilibër nga mbrojtja, por nga renatyralizimi.”

BUND kërkon që rregulli i 30 përqindshit të vlejë për të gjitha vendet. “Në mënyrë që zona të mbrojtura të mos shpallen vetëm territoret, që kanë pak lloje,” shpjegon Nicola Uhde.

Një pike tjetër e rëndësishme e bisedimeve është financimi i masave mbrojtëse. Ndërkohë që natyra fillestare është zhdukur në pjesën më të madhe të vendeve të pasura në kuadër të industrializimit, në shtetet më të dobta ekonomikisht ka shumë më tepër shumëllojshmëri biologjike.

Për të mbrojtur këtë, kombet e varfëra kërkojnë më shumë ndihma për shembull në Afrikë; shtetet e pasura duhet t’i shtojnë ndihmat e tyre financiare deri në vitin 2030 nga 160 miliardë dollar që janë tani në 700 miliardë dollarë.

Përveç kësaj komuniteti ndërkombëtar duhet të krijojë kuadrin politik të kushteve, që “i mundësojnë njeriut një jetë që ruan shumëllojshmërinë biologjike,” thotë Nicola Uhde. “Nuk mund të jetë normale që ne të konsumojmë produkte që vijnë nga mbishfrytëzimi i natyrës, si vaji i palmës për të cilin priten pyjet tropikale. Edhe transporti individual, konsumi i produkteve shtazore, harrxhimi i energjisë duhet të ulen.”

Kërkesa që njihen prej kohësh, por aktuale sa më s’bëhet për shkak të krizës së llojeve. /dw

Related posts

Gjykata Kushtetuese shtyn seancën mbi çështjen e protokollit Shqipëri-Itali për emigracionin

rezart morina

Kirurgu britanik flet për 40 ditët në Gaza: Qëllimi i luftës shkatërrimi i Gazës dhe popullit të saj

admin

2000 anëtarë të tjerë të dyshuar të bandës u transferuan në mega-burgun e ri në El Salvador

admin