Mijëra banorë u urdhëruan të evakuojnë shtëpitë e tyre në shtetin amerikan të Washingtonit, pasi një zjarr pyjor që po përhapet me shpejtësi, i nxitur nga kushtet ekstreme të motit, vazhdoi të zgjerohej të shtunën, duke kërcënuar mijëra ndërtesa, raportuan mediat, transmeton Anadolu.
Zjarri “Old Trails” ka përfshirë gati 1.214 hektarë tokë dhe po kërcënon rreth 4.000 ndërtesa, tha Pylltari Shtetëror George Geissler, sipas CNN-it.
Zyrtarët thanë se shkalla e plotë e dëmeve mbetet ende e paqartë, por zjarri tashmë ka prekur disa ndërtesa.
Niveli më i lartë i evakuimit, Niveli 3, u shpall për disa zona në qarkun Spokane, ndërsa autoritetet e emergjencës u bënë thirrje banorëve të “largohen menjëherë për shkak të rrezikut për jetën”.
Një qendër strehimi për të evakuuarit u hap në një kolegj lokal.
Guvernatori Bob Ferguson shpalli gjendje të jashtëzakonshme në gjithë shtetin dhe ndalim të djegieve në natyrë, ndërsa Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi për herë të parë një paralajmërim “Flamur i kuq – Situatë veçanërisht e rrezikshme” për pjesët qendrore dhe lindore të Washingtonit.
Guvernatori tha se Spokane po “shkon me shpejtësi drejt një situate krize”.
“Zemrat tona janë me banorët e Washingtonit që po humbasin shtëpitë e tyre dhe po evakuohen”, citoi CNN Fergusonin.
Gjeneralmajori i Gardës Kombëtare të Washingtonit, Gent Welsh, paralajmëroi se komunitetet mund të përballen me dëme të mëdha.
“Kur dielli të perëndojë dhe të lindë përsëri në mëngjes, besoj se do të tronditemi nga pamjet që do të shohim”, ka thënë ai.
Në gjithë shtetin e Washingtonit, më shumë se 80 mijë hektarë tokë janë përfshirë nga 12 zjarre të mëdha pyjore, ndërsa janë angazhuar mbi 4.000 zjarrfikës, sipas autoriteteve shtetërore.
Zjarri ka detyruar gjithashtu evakuimin e spitalit të veteranëve në Spokane, një impianti për rikuperimin e ujërave dhe një centrali për shndërrimin e mbetjeve në energji.
Autoritetet thanë se erërat jashtëzakonisht të forta, lagështia e ulët dhe thatësira e vazhdueshme kanë ndikuar në përhapjen e shpejtë të zjarrit.
Shkaku i zjarrit “Old Trails”, i cili shpërtheu rreth mesditës së të shtunës, mbetet ende nën hetim.

