Rreth 1.6 milion njerëz janë prekur nga përmbytjet e rrëmbyeshme shkatërruese, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e 1.050 personave dhe kanë lënë rreth 4.000 të zhdukur në Nepal, raportuan mediat lokale,
Autoriteti Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (NDRRMA) identifikoi rrethet Rasuwa dhe Nuwakot si më të prekura. Dhading, Gorkha dhe Chitwan u renditën si zona të prekura në masë të moderuar.
Sipas të përditshmes lokale në gjuhën angleze Kathmandu Post, numri më i madh i trupave të pajetë, përkatësisht 321, u gjet në Chitwan, pasuar nga Nawalparasi Lindor me 216, Nawalparasi Perëndimor me 170 dhe Nuwakot me 142.
Rreth 3.916 persona janë raportuar të zhdukur në 62 rrethe në mbarë vendin.
Nga personat e raportuar të zhdukur, 62 për qind ishin shtetas nepalezë që udhëtonin në grupe, përfshirë turistë vendas, ndërsa 17 për qind ishin punonjës të institucioneve qeveritare dhe 15 për qind shtetas të huaj.
Sipas agjencisë Gratë e OKB-së, rreth 43.000 gra dhe vajza në Nepal kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare pas përmbytjeve të rrëmbyeshme që përfshinë pjesë të vendit javën e kaluar.
Agjencia tha se fatkeqësia ka prekur në mënyrë joproporcionale gratë dhe vajzat, veçanërisht ato që ishin tashmë të cenueshme për shkak të varfërisë, aftësisë së kufizuar, shtatzënisë, qasjes së kufizuar në informacion dhe mungesës së burimeve.
“Gratë shtatzëna, gratë gjidhënëse, personat me aftësi të kufizuara, njerëzit që ne normalisht do t’i mbështesnim, nuk janë më, i mori uji, sepse nuk mundën të vraponin drejt zonave më të larta”, tha agjencia e drejtuar nga gra që vepron në komunitetet e prekura.
Përmbytjet masive kanë prekur drejtpërdrejt ose tërthorazi rreth 157.050 gra dhe vajza që jetojnë në rrethet Rasuwa dhe Nuwakot.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga përmbytjet e rrëmbyeshme dhe rrëshqitjet e baltës në Himalaje arriti në 1.066, një javë pasi fatkeqësia goditi rajonin kufitar mes Nepalit dhe Kinës.
Të dhënat nga Nepali dhe Kina treguan se rreth 4.462 persona, përfshirë 844 shtetas të huaj, mbeten të zhdukur.
Autoritetet kineze konfirmuan 16 viktima, ndërsa vazhduan kërkimet për 546 persona të raportuar të zhdukur, përfshirë 261 shtetas të huaj.

