RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

13 marrëveshjet që u nënshkruan mes Republikës së Kosovës dhe atë të Shqipërisë

13-marreveshjet-qe-u-nenshkruan-mes-republikes-se-kosoves-dhe-ate-te-shqiperise

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar ditën e sotme 13 marrëveshje, memorandume bashkëpunimi dhe deklaratë. Pas nënshkrimeve nga ministrat e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, ka pasuar nënshkrimi nga ana e ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e të dyja shteteve.

Gjatë dy viteve të fundit, janë mbajtur dy mbledhje të Qeverive në të cilat janë nënshkruar 41 marrëveshje qeveritare, ndërministrore e ndërinstitucionale. Kësaj radhe, edhe pse pa mbledhje të dy Qeverive, u nënshkruan 13 sosh, që mbulojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, nga siguria e drejtësia deri tek arsimi dhe kultura.

Me qëllim krijimin e një hapësire të lirë për ndërveprimin e njerëzve, ideve, kapitalit dhe fushave të tjera të përbashkëta, si dhe për të siguruar një perspektivë më të mirë për shtetasit e dy vendeve, është nënshkruar marrëveshja për njohjen reciproke të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit.

Për të zhvilluar bashkëpunimin në fushën e bujqësisë, promovimin e tregtisë dhe lehtësimin e procedurave kontrolluese, është lidhur marrëveshje për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve të origjinës jo-shtazore.

Një tjetër marrëveshje, në kuadër të bashkëpunimit, shkëmbimit të informacionit, përvojave dhe teknologjisë, është ajo e bashkëpunimit në fushën e inspektimeve, ku parashikohet edhe dhurimi nga ana e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Qeverisë së Kosovës, i portalit e-inspection.

Gjithashtu, Ministrat e Brendshëm të dy vendeve tona kanë nënshkruar edhe deklaratën e përbashkët të qëllimit duke u zotuar bashkërisht për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, kryesisht duke u fokusuar në lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar dhe avancimin e shkëmbimit të informacioneve përmes sistemeve të Menaxhimit të Kufirit, avancimin e Qendrës së Përbashkët për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, si dhe avancimin e bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e krimit.

Marrëveshjet e sotme, së bashku me ato të nënshkruara në dy mbledhjet e mbajtura në dy vitet e fundit mes qeverive, i sjellin vendet e qytetarët tanë më pranë njëri-tjetrit dhe ritheksojnë fuqizimin e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret mbledhjet e ardhshme të përbashkëta, të cilat duhet të mbahen mes vendeve tona, për diskutime të frytshme e dhënie hov të punëve të mira dhe bashkëpunimit.

Related posts

Shkollat mbyllen, shtëpitë digjen nga sulmet izraelite dhe të kolonëve nga Ramallahu deri në Jerusalem

RTI

Dy baballarë dhe dy djem

Muhamet Ramadani

Aneksi i marrëveshjes, Von Cramon: Nëse zbatohet me shpejtësi, do të ketë paqe në rajon

Muhamet Ramadani