Në sheshin “Zahir Pajaziti” është organizuar fushatë vetëdijesimi kundër dhunës në familje. Në përmbylljen e fushatës, u tha se janë shpërndarë mbi 20 mijë broshura informative dhe janë mbajtur ligjërata në shkollat e mesme. Megjithatë, përkundër këtyre fushatave janë kritikuar gjyqtarët e prokurorët të cilët nuk po punojnë bazuar në kompetencat e tyre. Veç tjerash, është bërë e ditur se vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti janë raportuar 1300 raste të dhunës në familje.
Kjo fushatë është organizuar nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional (Clard) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi në kuadër të projektit “Edukimi kundër dhunës në familje dhe ngacmimit seksual”.
Anton Nrecaj nga Clard ka thënë se në kuadër të kësaj fushate janë shpërndarë broshura informative dhe kanë bashkëbiseduar me qytetarë nga gjitha komunat për të informuar ata për pasojat e dhunës në familje.
“Janë mbi 20 mijë broshura që janë shpërndarë gjithandej Kosovës, përmbajnë informatat bazike të kornizës ligjore kundër dhunës në familje dhe informatat bazike se ku mund të drejtohen në rast se janë viktima të dhunës në familje. Janë informacion bazik për secilin qytetar laik që nuk e kupton konceptin e asaj që ofrohet përmes ndihmës juridike dhe të drejtat që i kanë të garantuara nga korniza ligjore për mbrojtjen e dhunës në familje dhe ngacmimeve seksuale”, ka thënë ai.
Po ashtu, në përmbylljen e kësaj fushate, ai ka njoftuar se këtë vit ka pasur numër të madh të rasteve të raportuara për dhunë në familje.
“Statistikat zyrtare për gjashtëmujorin e parë të këtij viti rezultojnë që nga janari deri në qershor të vitit 2022, rastet e raportuara të dhunës në familje janë rreth 1300 në raport me vitin e kaluar që gjatë gjithë vitit kanë qenë mbi 1900 raste të raportuara të dhunës në familje. Kurse sivjet në gjashtëmujorin e parë janë 1300”, ka shtuar Nrecaj.
Prishtina e Peja prin me numrin më të madh të rasteve të dhunës në familje, ka thënë drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj. Ku shtoi se u kanë rekomanduar institucioneve të drejtësisë të ndërmarrin masa parandaluese.
Më tej, Miftaraj ka thënë se qëllimi i kësaj fushate ka qenë informimi i qytetarëve lidhur me të drejtat e tyre në rastet e dhunës në familje.
“Edhe përkundër kampanjave të shumta që kemi bërë, jo vetëm për qytetarët por edhe për institucionet të sigurisë dhe drejtësisë, fatkeqësisht ende gjyqtarët e prokurorët, policia nuk janë në gjendje të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre që u jep kushtetuta dhe ligji. Ende qytetarët nuk po mund të realizojnë të drejtat e tyre, kryesisht për shkak të joprofesionalizimit të gjykatave dhe prokurorive”, ka thënë Miftaraj.
Ehat Miftaraj nga IKD tha se me mbështetjen e Ambasadës Amerikane është ofruar ndihmë juridike falas edhe për komunitetet në Kosovë.