RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

32 vite nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut

32-vite-nga-pavaresia-e-maqedonise-se-veriut

Republika e Maqedonisë së Veriut shënon 32-vjetorin e pavarësisë së saj si shtet anëtar i NATO-s dhe si shtet që është i përkushtuar në aspiratën për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian (BE), shkruan Anadolu.

Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte vendi, ndodhi si rezultat i një vargu trazirash politike në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të 20-të.

Në referendumin që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran. Pas shpalljes së pavarësisë, shtetësinë e Maqedonisë, ndër shtetet e para, e pranuan Türkiye dhe Bullgaria e më pas edhe shtetet e tjera.

Pas votimit të deklaratës për sovranitet të shtetit, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë. Në aspektin monetar shteti u pavarësua me vendosjen e denarit më 26 prill të vitit 1992 ndërsa më pas formoi armatën, të cilën e shënon më 18 gusht.

Subjektiviteti juridiko-ndërkombëtar i shtetit përfundimisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB), Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të e plotfuqishme e organizatës botërore.

Për shkak të kundërshtimit dhe presionit nga ana e Greqisë, që nuk e pranonte emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në OKB u bë nën referencën e përkohshme: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM).

Ndryshimi i emrit dhe anëtarësimi në NATO

Përgjatë viteve negociatat për zgjidhjen e problemit me emrin me Greqinë kohë pas kohe vazhdonin dhe ndalonin.

Pas mbajtjes së negociatave për zgjidhjen e kontestit të emrit që u zhvilluan nën sponsorizim të OKB-së, u arrit Marrëveshja e Prespës, e cila u nënshkrua në qershor të vitit 2018 në anën greke të Liqenit të Prespës.

Me nënshkrimin e marrëveshjes vijuan hapat e zbatimit të tij, siç janë mbajtja e referendumit në Maqedoninë e Veriut, që u zhvillua në shtator të vitit 2018.

Pyetja e referendumit ishte: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?”. Në referendum, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), dolën 36,91 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve, prej të cilëve 91,46 për qind votuan “për”.

Pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës u hapën dyert e vendit për përparim në rrugën euroatlantike. Në vitin 1999, në Samitin në Washington, Maqedonia e Veriut u bë kandidate për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO.

Vendet anëtare të NATO-s në shkurt të vitit 2019 e nënshkruan Protokollin për Anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, e më pas atë e ratifikuan parlamentet e të gjitha anëtareve të aleancës, me çka vendi më 27 mars të vitit 2020 zyrtarisht u bë anëtari i 30-të i NATO-s.

Negociatat e anëtarësimit në BE

Pasi nën udhëheqjen e Dimitar Kovaçevskit si kryeministër me dorëheqjen e ish-kryeministrit të vendit Zoran Zaev nga partia dhe detyra e kryeministrit, qeveria e re mori votëbesimin në janar të vitit 2022.

Kovaçevski në korrik njoftoi se qeveria ka miratuar propozimin francez që do t’i mundësojë vendit të fillojë negociatat e anëtarësimit me BE-në. Para kësaj, opozita nën udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së organizoi protesta në mbarë vendin.

Maqedonia e Veriut më 19 korrik bashkë me Shqipërinë arriti të fillojë negociatat e aderimit me BE-në, duke e mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare.

Maqedonia e Veriut e cila në vitin 2005 fitoi statusin e “vendit kandidat”, pasi të bëjë ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga protokolli bilateral i nënshkruar me Bullgarinë, do të fillojë të hapë kapitujt për anëtarësim në BE.

Ndryshimet kushtetuese

Debati për ndryshimet kushtetuese, të cilët janë parakusht për procesin e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) filloi më 18 gusht 2023.

Maqedonia e Veriut, e cila filloi negociatat e anëtarësimit me BE-në duke mbajtur konferencën e saj të parë ndërqeveritare vitin e kaluar, duhet të përfshijë bullgarët në kushtetutën e saj.

Maqedonia e Veriut nuk mund të hapë kapitull me BE-në pa përfshirë bullgarët në kushtetutë, ndërsa për ndryshimet kushtetuese nevojitet një shumicë prej dy të tretave të Kuvendit, pra 80 deputetë që kjo të ndodhë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij në seancë tha se propozimi është rezultat i një debati shumëmujor, tërësisht i hapur, transparent, ekspertësh dhe politik.

Propozimi për fillimin e ndryshimeve kushtetuese parashikon ndryshime në Preambulën e Kushtetutës dhe përmendjen e popullit bullgar, popullit kroat, popullit malazez, popullit slloven, popullit hebre dhe popullit egjiptian.

Kryesimi me OSBE-në

Maqedonia e Veriut më 12 janar në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, e mori përsipër kryesimin e radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) nga Polonia.

“Është përgjegjësi dhe nder i madh të marrësh Presidencën e OSBE-së për vitin 2023. Synimi ynë do të jetë të përqendrohemi në parimet e Aktit Final të Helsinkit në përputhje me interesat dhe nevojat e njerëzve”, theksoi ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani me rastin e marrjes së detyrës.

Related posts

Izraeli kryen sulm me raketa në Libanin jugor

admin

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miraton rezolutën që i bën thirrje Rusisë të tërhiqet nga Ukraina

admin

Izraeli: Ushtria ka ‘lirinë e veprimit’ për të sulmuar Jeninin

admin