Shumë fëmijë përjetojnë çrregullime emocionale. Nga stresi shoqëror dhe i shkollës te presionet e jashtme, ka shumë arsye pse fëmijët kalojnë ulje-ngritje me gjendjen e tyre emocionale.
Cilat janë shenjat që tregojnë se fëmija juaj ka nevojë për ndihmë të specializuar? Sipas Jenny Yip, një psikologe që ka folur për revistën “Parents”, një çështje mund të jetë problem për një fëmijë, por jo për një tjetër. “Çdo fëmijë përballet ndryshe me stresin”, thotë Dr. Yip. “Disa fëmijë mund të kenë një nivel më të lartë elasticiteti, ndërsa të tjerët mund të jenë më të kujdesshëm dhe të shqetësuar”.
Megjithatë, ka shenja dhe sinjale. Këtu janë shtatë gjëra për të cilat duhet të tregoni kujdes, sipas ekspertëve.
Fëmija është vazhdimisht në kërkim të informacionit
“Kërkimi i vazhdueshëm i informacionit nga mediat sociale ose lajmet, ose kërkimi i prindërve për siguri është një tregues kyç i ankthit”, thotë Dr. Yip. “Siguria absolute nuk është kurrë e mundur, as tani dhe në asnjë situatë tjetër në jetë.
Ndryshimet me gjumin
“Kjo mund të nënkuptojë se një fëmijë ndihet i shqetësuar ose i dëshpëruar. Fëmija mund të ndihet i dëshpëruar nga humbja e aktiviteteve dhe kjo çon në rritje të orëve të gjumit, ose mund të ndjejë ankth dhe dëshpërim, gjë që çon në vështirësi për të fjetur”, thotë Kate. E. Eshleman, psikologe në klinikën e fëmijëve “Cleveland”.
Izolimi në shtëpi
“Nëse e shihni fëmijën ose adoleshentin tuaj duke kaluar më shumë kohë në dhomë dhe duke mos u afruar me familjen ose miqtë, kjo është një tjetër shenjë se ata mund të kenë nevojë të marrin një mbështetje shtesë”, thotë Cat Ryan, një terapist në spitalin “Northwestern Medicine Central” në SHBA.
Fëmijë shumë i ngjitur
“Ngjitja mund të sinjalizojë ankth. Ngjitja ndodh kur një fëmijë nuk ndjen besimin ose elasticitetin për t’u përballur me të qenit vetëm”, thotë Dr. Yip. “Ndihen të pazotë për të përballur pasojat e mundshme”.
Rritja e nervozizmit
Tek fëmijët dhe adoleshentët, ankthi shpesh manifestohet si nervozizëm dhe reagime të shpejta. Fëmijët kanë gjasa të përjetojnë zhgënjim lidhur me humbjen e shumë ngjarjeve të rëndësishme si festat e ditëlindjeve, festimet e përfundimit të shkollës, udhëtimet familjare dhe aktivitetet verore, etj.
Tërheqja nga aktivitetet e preferuara
“Kjo mund të jetë një simptomë e depresionit. Është e rëndësishme të përcaktohet nëse mosinteresimi lidhet me gjendjen shpirtërore kundrejt lodhjes nga përfshirja në atë aktivitet të favorizuar”, thotë Dr. Eshleman. “Nëse një fëmijë zakonisht pëlqen artin, megjithëse ka qenë i angazhuar në projekte arti për dy muajt e fundit, ai thjesht mund të jetë i lodhur duke bërë art. Ndaj, duhet përcaktuar shkaku”.
Ndryshime në higjienë dhe ushqim
“Kjo është një tjetër shenjë paralajmëruese se fëmija juaj mund të jetë duke përjetuar një rritje të depresionit ose ankthit”, thotë Dr.Ryan. “Është e dobishme të mbash një orar për vaktet dhe të sigurohesh që fëmijët të mbajnë higjienën e përditshme, si larja e dhëmbëve dhe dushi”.