Kur studiuesit e universiteteve dhe shkollave mjekësore nga Amerika Veriore dhe Jugore nisën të eksploronin teorinë se ushqimet e përpunuara kontribuojnë në shëndetin e dobët mendor, ata zbuluan se ushqimet ultra të përpunuara (UPF) ishin shkelësit më të këqij.
Ushqimet ultra të përpunuara janë produkte ushqimore “komerciale”, që përmbajnë pak ose aspak përbërës ushqimor të plotë, shpesh u mungojnë lëndët ushqyese thelbësore dhe zakonisht përmbajnë aditivë, si aromatizues, ngjyrues dhe produkte të tjera që e bëjnë ushqimin më tërheqës për konsumatorët. Thënë thjesht, këto ushqime nuk ngjajnë në asnjë mënyrë, me burimet origjinale të ushqimit nga të cilat janë bërë.
Produktet UPF janë përgjithësisht të shpejta dhe të lehta për t’u përgatitur ose gati për t’u ngrënë jashtë paketimit të tyre dhe shpesh janë më pak të kushtueshme se ushqimet e plota.
Pas rishikimit të të dhënave dietike të vetë-raportuara, nga më shumë se 10,000 burra dhe gra të moshës 18 vjeç e lart, autorët e studimit ishin në gjendje të emëronin 8 UPF-të që konsumoheshin më shpesh. Në listë përfshiheshin:
1. Pijet e ëmbla me sheqer
2. Produktet e mishit të “rindërtuara” (Mishi i rindërtuar është një produkt mishi i ngjashëm me pastë ose lëng, që prodhohet nga mishi i bluar. Yndyra dhe uji i tepërt ndahen nga mishi duke përdorur një centrifugë.)
3. Ushqimet të paketuara/ snack
4. Patatina
5. Drithërat e mëngjesit
6. Biskotat
7. Tortat
8. Buka
Studiuesit gjithashtu mblodhën të dhëna nga pjesëmarrësit për të matur tre simptoma specifike të shëndetit mendor: depresionin e përgjithshëm të butë, numrin e ditëve me ankth dhe numrin e ditëve të pashëndetshme mendërisht.
Ata zbuluan se ata pjesëmarrës që konsumonin dukshëm më shumë UPF, kishin një shkallë më të lartë të depresionit të butë dhe raportuan më shumë ditë ankthi apo ditë ku nuk ndiheshin mirë mendërisht.
Hulumtimet e mëparshme kanë zbuluar se aditivët ushqimorë të përdorur në UPF, si ëmbëlsuesit artificialë dhe emulsifikuesit, janë të lidhura me ndryshimet në tru, rritjen e inflamacionit dhe ndryshimin e metabolizmit.
Studime të tjera kanë zbuluar se njerëzit të cilëve u mungojnë lëndët ushqyese thelbësore në dietën e tyre dhe konsumojnë sasi të mëdha ushqimesh të pasura me sheqer janë në rrezik dukshëm më të lartë të zhvillimit të depresionit dhe ankthit sesa ata që hanë një dietë më të shëndetshme, siç është një dietë e stilit mesdhetar që është më e lartë në ushqime natyrale, të pasura me lëndë ushqyese dhe më pak të përpunuara, si ushqimet e detit, perimet, vaji i ullirit, bishtajoret dhe arrat.