RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Franca dhe Mbretëria e Bashkuar organizojnë takim për sigurinë detare në Ngushticën e Hormuzit

franca-dhe-mbreteria-e-bashkuar-organizojne-takim-per-sigurine-detare-ne-ngushticen-e-hormuzit

Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë nisur bashkë-organizimin e një takimi ndërkombëtar në Paris për të diskutuar një nismë të propozuar detare që synon sigurimin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, teksa tensionet në rajon vazhdojnë të ndikojnë në transportin global, transmeton Anadolu.

Takimi, i kryesuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, po mbledh përfaqësues nga 30 deri në 40 vende, ku pjesëmarrja po zhvillohet kryesisht përmes lidhjeve video.

Bisedimet fokusohen në një përpjekje të koordinuar ndërkombëtare për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve tregtare në këtë rrugë ujore strategjike, e cila mbetet një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë.

– Fushëveprim mbrojtës

Zyrtarët francezë kanë bërë të ditur se misioni i propozuar do të ketë një fushëveprim të kufizuar dhe do të fokusohet në sigurinë detare.

Në përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, Macron theksoi se nisma do të jetë “rreptësisht mbrojtëse” dhe do të përfshijë aktorë jo-luftarakë.

Ndërkohë, Starmer theksoi urgjencën e rikthimit të lundrimit në ngushticë, duke vënë në pah implikimet më të gjera ekonomike dhe të sigurisë të krizës.

Si Parisi ashtu edhe Londra kanë sinjalizuar se kjo nismë nuk synon të bëhet pjesë e një përballjeje më të gjerë ushtarake, ndërsa zyrtarët britanikë më herët kanë përjashtuar pjesëmarrjen në çdo skenar bllokade.

– Objektivat

Sipas zyrtarëve, diskutimet po shqyrtojnë krijimin e një mekanizmi shumëkombësh detar që mund të aktivizohet sapo kushtet në terren ta lejojnë.

Qëllimi më i gjerë është rikthimi i lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, qetësimi i tregjeve globale të energjisë dhe kompanive të sigurimeve, si dhe stabilizimi i flukseve të transportit detar.

Masat e mundshme përfshijnë koordinimin e pranisë detare, shoqërimin e anijeve tregtare dhe forcimin e shkëmbimit të inteligjencës ndërmjet vendeve pjesëmarrëse.

Takimi vjen në një kohë të thellimit të krizës në ngushticë, pas rritjes së tensioneve të SHBA-së dhe Izraelit me Iranin.

Në këtë kontekst, takimi në Paris shihet si pjesë e përpjekjeve më të gjera diplomatike të udhëhequra nga vendet evropiane për të frenuar krizën dhe për t’u përgatitur për një kuadër të mundshëm pas përshkallëzimit për sigurimin e kësaj rruge ujore.

Related posts

Irak, kleriku shiit al-Sadr hyn në grevë urie pas dhunës vdekjeprurëse

admin

Zelenskyy pretendon se Putini kërkon të tregojë “fitore të rreme” përmes luftës hibride

admin

Kryeministri japonez: Pashë me sytë e mi agresionin e Rusisë në Ukrainë – VIDEO

Muhamet Ramadani