Shoqëria shqiptare “Kayo” ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë italiane “Fincantieri”, që sipas autoriteteve shqiptare i hap rrugë prodhimit në Shqipëri të mjeteve lundruese detare, jo vetëm për nevojat e vendit, por edhe për eksport në tregjet ndërkombëtare.
Në ceremoninë e nënshkrimit në Tiranë ishte i pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, presidenti i kompanisë “Fincantieri”, Pierroberto Folgiero dhe zyrtarë të tjerë.
Në fjalën e tij në ceremoninë e nënshkrimit, kryeministri Rama e cilësoi marrëveshjen si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e sigurisë dhe ekonomisë së vendit. Ai theksoi se kjo nismë do të krijojë një ekselencë të përbashkët italo-shqiptare në industrinë e kantiereve detare, duke sjellë inovacion dhe teknologji të përparuar në vend.
“Kjo marrëveshje kërkon që të përcaktojë pikërisht një vullnet dhe një vizion për të shoqëruar këtë ndryshim me diçka të re, diçka të veçantë, diçka speciale, e cila sigurisht do të krijojë një ekselencë italo-shqiptare këtu në territorin tonë dhe që do të shërbejë dhe në përgjithësi për botën e re të kantiereve për inovacionin e saj dhe për atë që ajo sjell”, u shpreh Rama.
Ministri i Mbrojtjes, Nufi, theksoi se ky bashkëpunim sjell vlera të shumta strategjike për vendin. “Nga ky bashkëpunim ka disa vlera strategjike që arrihen. Shqipëria bëhet një bazë e re evropiane e ‘Fincantieri-t’ për anijet e vogla dhe të mesme. ‘Fincantieri’ zgjeron kapacitetin prodhues në Shqipëri dhe ‘Kayo’ pozicionohet si një partner i besueshëm industrial me një arkitekturë ndërkombëtare. Modeli i biznesit është që mbi 90 për qind e klientëve janë ndërkombëtarë, klientë ekzistues të ‘Fincantier-it’, u shpreh Nufi.
Sipas Qeverisë së Shqipërisë, projekti parashikon krijimin e një kantieri të ri në Pashaliman, Vlorë, ku pritet të punësohen rreth 400 persona. Ky investim konsiderohet “një gur themeli për zhvillimin industrial të vendit, duke nxitur njëkohësisht punësimin e të rinjve dhe rritjen e kapaciteteve vendase në teknologji të avancuar”.
Autoritetet shqiptare e konsiderojnë këtë marrëveshje si një forcim të “bashkëpunimin strategjik në mbrojtje“ mes Shqipërisë dhe Italisë. Sipas shoqërisë, “Kayo” operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, duke ofruar produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe tregjet ndërkombëtare.
Më parë autoritetet shqiptare kanë theksuar se projekti me kompaninë “Fincantieri” parashikon deri në 1,2 miliard euro investim dhe qindra vende pune.
Kompania u themelua në vitin 2024, duke trashëguar kapacitetet prodhuese të Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzinës Mekanike Gramsh dhe Kombinatit Mekanik Poliçan në Shqipëri.

