RTV AHIRETI
KosovëLajmeLajmet

Për 77 ditë mandat, mbi gjysmë milioni euro shkuan në paga për deputetët

per-77-dite-mandat,-mbi-gjysme-milioni-euro-shkuan-ne-paga-per-deputetet

Për dy muaj e gjysmë punë, deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë marrë mbi 575 mijë euro për paga, pa përfshirë shpenzimet e tjera, ku hyjnë edhe ato për asistentët e tyre. Nëse mbesin pa të hyra të tjera, Kuvendi do të vazhdojë t’ua japë pagën për një vit rresht, edhe nëse nuk rizgjidhen deputetë
Saktësisht 77 ditë ka qenë jetëgjatësia e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit. E për krejt këtë periudhë, përbërja e saj ka miratuar 35 ligje, prej të cilave 24 marrëveshje ndërkombëtare.

Për dy muaj e gjysmë, për pagat e 120 deputetëve u shpenzuan rreth 575 mijë euro, pa përfshirë shpenzimet e tjera, përfshirë pagat për asistentët e tyre. E do të vazhdojnë ta marrin pagën e plotë edhe për një vit, nëse nuk kanë një punë tjetër, të gjithë ata që nuk do t’i hyjnë garës për mandatin tjetër e edhe ata që garojnë dhe nuk marrin besimin e qytetarëve.

Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, përkatësisht neni 16 i tij, parasheh që “deri në fillimin e realizimit të të hyrave financiare nga ndonjë burim tjetër, ose nga realizimi i pensionit, që nga dita e përfundimit të mandatit deputeti/ja ka të drejtë në pagë bazë për dymbëdhjetë (12) muaj”.

Paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 914 euro. Për një vit i bie që një deputet që nuk ka burim tjetër të hyrash, t’i kushtojë buxhetit të shtetit afro 23 mijë euro.

Krahas shpenzimeve për paga, 75 deputetë kanë shfrytëzuar të drejtën për të pasur asistentë personalë. Paga e asistentit është afro 900 euro, e kësisoj për një muaj për ta u shpenzuan 67 mijë e 500 euro.

Ndërkaq, afro 2 milionë euro ka qenë kostoja e shpenzimeve që i është shkaktuar buxhetit të shtetit për pagat e deputetëve dhe asistentëve të tyre në legjislaturën e nëntë, ani se ajo përbërje është konstituuar e shpërndarë pa arritur ta formojë as qeverinë.

Një muaj pas përfundimit të mandatit të legjislaturës së nëntë, 67 deputetë u deklaruan para Kuvendit si të papunë, për të realizuar pagën kalimtare prej 1.914 eurosh në muaj.

Rizgjedhja e shumicës prej tyre e uli dukshëm këtë numër.

Sipas Kuvendit, aktualisht pagën kalimtare janë duke e marrë 15 ish-deputetë, 6 të PDK-së, 6 të LDK-së, një i Nismës dhe dy nga komunitetet.

“Aktualisht të drejtën në pagë kalimtare janë duke e gëzuar 15 ish-deputetë: Abelard Tahiri, Alban Zogaj, Albert Kinolli, Altin Krasniqi, Arben Gashi, Arjeta Abazi, Eliza Hoxha, Fatmir Limaj, Fidan Jilta, Hysen Çekaj, Kosovare Murseli, Krenar Xhaferi, Memli Krasniqi, Paris Guri dhe Rashit Qalaj”, ka bërë të ditur Kuvendi.

Nga PDK-ja, ndonëse nuk u rizgjodhën, tre deputetë nuk kanë aplikuar për këtë pagë, Jakup Nura, Fadil Demaku e Xhevahir Geci.

Nga LDK-ja nuk kanë aplikuar: Marigona Geci, Ekrem Hyseni e Serbeze Muçaj.

Nga AAK-ja, Lahi Brahimaj e nga Nisma Xhevahire Izmaku dhe Arbresha Krasniqi.

Nga Lista Serbe nuk aplikuan për këtë kompensim Zlatan Elek, Sergjan Popoviq dhe Stefan Kovaqeviq.

Kuvendi i Kosovës u shpërnda më 28 prill pas dështimit të zgjedhjes së presidentit.

Related posts

Hekurudha e Ukrainës rol thelbësor në luftë

admin

“Tymi” në horizont, Izraeli dhe Hezbollahu drejt luftës gjithëpërfshirëse, me pasoja shkatërruese për rajonin e Lindjes së Mesme

admin

Bruksel, Komisioni Evropian nën hetim për shitje të pasurive të paluajtshme me vlerë 900 milionë euro

admin