Nënat e reja që vijnë së bashku në Kampala, kryeqyteti i Ugandës, fitojnë të ardhura dhe kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit falë briketave të biokarburanteve që prodhojnë nga mbetjet bujqësore.
Më shumë se 20 nëna të reja, të cilat u bashkuan brenda organizatës joqeveritare “Set Her Free” që vepron në rajonin Kawempe të Kampala, prodhojnë briketa biokarburantesh duke përpunuar mbetjet bujqësore çdo mëngjes.
Robinah Muganzi, themeluesja e “Set Her Free”, tha për Anadolu se ajo krijoi këtë organizatë joqeveritare për të mbështetur vajzat e reja që përballen me vështirësi të ngjashme pasi u rritën në lagjet e varfra të Kampalasë.
“Ndërsa nënat e reja fitojnë të ardhura nga shitja e briketave, ato kontribuojnë edhe në mbrojtjen e mjedisit”, tha Muganzi.
Duke thënë se synojnë të reduktojnë nevojën për dru dhe qymyr druri duke shfrytëzuar mbetjet bujqësore, Muganzi shpjegoi se nënat e reja përziejnë mbetjet e bimëve dhe mbetjet e tjera bujqësore me argjilën dhe melasën dhe i kthejnë ato në briketa biokarburantesh që mund të përdoren në shtëpi dhe shkolla.
Organizata, e cila ofron programe trajnimi, konsulence dhe aftësish profesionale për të rejat në rrezik të varfërisë dhe përjashtimit social, synon të mbështesë pjesëmarrjen e nënave të reja në jetën ekonomike.
Zyrtarët Set Her Free deklarojnë se briketat e prodhuara u shiten familjeve dhe shkollave në Kampala dhe të ardhurat e krijuara kontribuojnë në jetesën e nënave të reja. Briketat, të cilat shiten për më pak se 1 dollarë për kilogram, ofrojnë një opsion karburanti më të aksesueshëm për familjet me të ardhura të ulëta.
Të preferuara nga shkollat, restorantet dhe familjet në Kampala, briketat shquhen si lëndë djegëse alternative ndaj qymyrit. Përdoruesit deklarojnë se produkti përveçse është më ekonomik, mund të kontribuojë edhe në uljen e prerjes së pemëve për përdorim karburanti.
Varësia nga druri dhe qymyri vazhdon
Druri dhe qymyri ende përdoren kryesisht në gatim në Ugandë.
Sipas të dhënave nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), afërsisht 94 për qind e energjisë në vend sigurohet nga burimet e biomasës.
Përafërsisht 80 për qind e biomasës së konsumuar është lëndë djegëse druri, 10 për qind është qymyr druri dhe 4 për qind janë mbetje bujqësore. 9 nga 10 familje në vend përdorin dru ose qymyr për të gatuar.
FAO thekson se prodhimi i qymyrit shkakton pasoja të rëndësishme negative mjedisore, sociale dhe ekonomike. Shpyllëzimi, i cili vazhdon prej shumë vitesh për shkak të nevojës për karburant, ushtron presion edhe mbi pasuritë pyjore të Ugandës.
Sipas të dhënave nga Autoriteti Kombëtar Pyjor i Ugandës, mbulesa pyjore, e cila përbënte afërsisht 25 për qind të territorit të vendit në vitin 1990, u ul në 9 për qind në 2015.

