Kolonët izraelitë u vunë flakën të paktën dy xhamive dhe i vandalizuan ato me grafite gjatë një sulmi në fshatrat palestinezë në Bregun e Perëndimor të pushtuar të dielën, njoftuan zyrtarët palestinezë.
Vala e fundit e dhunës vjen pasi katër palestinezë dhe dy ushtarë izraelitë u vranë të premten, kur një grup kolonësh izraelitë ndërmorën një mësymje rreth fshatit palestinez Tal, në jugperëndim të Nablusit.
Zyrtarët deklaruan se banorët e fshatit dolën nga shtëpitë e tyre për t’u përballur me kolonët. Përleshja me armë që pasoi i shtohet një serie në rritje përplasjesh me përfshirjen e kolonëve, gjatë të cilave dhjetëra palestinezë janë vrarë këtë vit dhe qindra të tjerë janë plagosur, sipas të dhënave nga OKB-ja dhe Autoriteti Palestinez.
Abdel Azim Wadi, kryetar i këshillit të fshatit Qusra (në juglindje të Nablusit), tha se kolonët i kishin vënë zjarrin një xhamie të përfunduar së fundmi në fshatin e tij herët të dielën. Ai shtoi se ata kishin spërkatur parulla në gjuhën hebraike në mure, me mesazhe si “Hakmarrje hebreje” dhe emrin e një prej izraelitëve të vrarë afër Tal-it.
“Fshati është përballur me sulme të përsëritura që nga viti 2011, dhe këto sulme janë shtuar që nga fillimi i luftës,” deklaroi ai për agjencinë e lajmeve Reuters përmes telefonit.
Vendbanimet ilegale izraelite
Pjesa më e madhe e vendeve të botës dhe trupat e OKB-së i konsiderojnë vendbanimet izraelite në Bregun e Perëndimor si ilegale – një qëndrim që Izraeli e hedh poshtë – ndërsa palestinezët kërkojnë të krijojnë një shtet të pavarur në Rripin e Gazës, Bregun e Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor.
Sulmet e kolonëve ndaj palestinezëve në Bregun e Perëndimor janë rritur ndjeshëm që nga tetori i vitit 2023, kur Izraeli nisi luftën ndaj Gazës pas sulmit të Hamasit.
Ushtria izraelite deklaroi se trupat e dërguara në Qusra – fshat që ndodhet afër disa vendbanimeve të mëdha izraelite – kishin gjetur grafite dhe shenja zjarrvënieje, si dhe po kërkonin të dyshuarit. Ajo tha se oficerët e policisë do të dërgohen për të mbledhur prova.
“Forcat e sigurisë dënojnë ashpër incidentet e këtij lloji, përfshirë dëmtimin e vendeve fetare, dhe do të vazhdojnë të veprojnë me vendosmëri për të ruajtur sigurinë dhe rendin publik në zonë,” u shpreh ushtria.
Zyrtarët palestinezë njoftuan gjithashtu se kolonët kishin tentuar të digjnin edhe një xhami tjetër afër fshatit Kour, në juglindje të qytetit Tulkarm.
Farid Jiyousi, anëtar i këshillit të fshatit, tha se tre kolonë kishin tentuar t’i vinin zjarrin xhamisë në agim, por besimtarët e kishin fikur zjarrin përpara se ai të arrinte në hapësirën kryesore të xhamisë.
“Ky është sulmi i parë që përjeton fshati ynë,” tha ai, duke shtuar se sulmuesit kishin shkruar gjithashtu grafite në hebraisht në muret e xhamisë.
Pas incidentit të së premtes, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi përforcimin e trupave në zonë dhe deklaroi se do të autorizohen më shumë vendbanime për të rritur sigurinë.
Politikanët e së djathtës në qeverinë e tij, përfshirë Ministrin e Financave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, kanë bërë thirrje për përshpejtimin e hapave për marrjen e plotë në kontroll të Bregut të Perëndimor, i cili u pushtua nga Izraeli pas luftës së vitit 1967 në Lindjen e Mesme. /tesheshi

