RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rama po mbijeton me një kohë politike të blerë

rama-po-mbijeton-me-nje-kohe-politike-te-blere

Huaja amerikane nuk fsheh dot zullumet e një pushtetit të demaskuar tashmë

Ka një moment në jetën e çdo qeverisjeje të gjatë kur numrat dhe raportet e huaja fillojnë të flasin më fort se fjalët e liderit.

Për Edi Ramën, ai moment ka ardhur, dhe këtë herë dëshmitari nuk është opozita apo mediat kritike të brendshme, por vetë Departamenti Amerikan i Shtetit – aleati që Rama e ka përdorur prej vitesh si mburojë legjitimuese ndërkombëtare.

Raporti i fundit i OSAC, Këshillimor për Sigurinë Jashtë Vendit, nuk lë shumë hapësirë për interpretim të butë: rritje prej 17 për qind e kriminalitetit brenda një viti, klasifikimi i vendit me indikatorin “Crime C” – i rezervuar për shtete me praninë e konsiderueshme të krimit të organizuar – dhe një përshkrim i detajuar i rrjeteve kriminale që operojnë të palëkundura në trafik droge, pastrim parash, zhvatje, ryshfet dhe trafikim qeniesh njerëzore.

Këto nuk janë akuza politike të hedhura nga një parti rivale por vlerësime zyrtare të një institucioni amerikan që nuk ka nevojë të fitojë zgjedhje në Shqipëri.

Dhe pikërisht kjo i jep peshë të veçantë: zullumet e një sistemi që ka mbrujtur pushtetin e Ramës për vite me radhë tani dalin në pah jo nga kundërshtarët e tij të zakonshëm, por nga vetë partneri strategjik që ai e ka paraqitur si dëshmitar të suksesit të tij.

Në këtë kontekst të zymtë duhet lexuar edhe manovra e djeshme: miratimi në heshtje i huasë 302 milionë dollarëshe nga SHBA, përmes një seance parlamentare të mbyllur ndaj publikut.

Rama nuk ka nevojë vetëm për një marrëveshje ushtarake. Atij i duhet një titull që mbulon, të paktën për një ditë, atë çka po del vazhdimisht në sipërfaqe: një vend ku kriminaliteti i organizuar konsiderohet nga vetë amerikanët aq i rrënjosur sa personeli diplomatik i tyre ka lokale të ndaluara për t’u frekuentuar në Tiranë, ku trafiku i armëve dhe eksplozivëve tranziton drejt Evropës, dhe ku shpërthimet artizanale përdoren për “larje hesapesh” mes grupeve kriminale.

Dy muaj protesta të pandërprera – nga zemërimi mjedisor kundër projektit të Sazanit deri te “Revolucioni Flamingo” – nuk janë as teka dhe as “provokim opozitar” siç i ka etiketuar prej vitesh çdo kritikë Rama.

Vetë raporti amerikan i regjistron këto protesta si element të vlerësimit të rrezikut në vend, duke pranuar zyrtarisht atë që qeveria është përpjekur me çdo kusht ta minimizojë: që pakënaqësia popullore ndaj zullumeve dhe korrupsionit të këtij pushteti nuk është më çështje e brendshme e izolueshme, por një fenomen që ndiqet me shqetësim edhe nga aleatët ndërkombëtarë.

Kjo është tragjedia e vërtetë e qeverisjes Rama. Ai e ka ndërtuar dekada legjitimiteti mbi imazhin e “aleatit model” perëndimor, ndërsa në vend ka lejuar që të bëhen strukturore rrjetet kriminale, korrupsioni dhe pastrimi i parave.

Tani, kur vetë Uashingtoni e thotë këtë haptas në një dokument zyrtar, mburoja diplomatike që Rama e ka përdorur për të heshtur çdo zë kritik të brendshëm fillon të kthehet kundër tij.

Nuk mund të jesh njëkohësisht “shembulli i suksesit euroatlantik” në samitet e NATO-s dhe vendi që aleati yt e paralajmëron qytetarët e tij të mos e vizitojnë natën, të mos parkojnë pa kujdes, të mos frekuentojnë disa lokale për shkak të “dhunës hakmarrëse”.

Rama mund të vazhdojë të nënshkruajë marrëveshje dhe të prodhojë tituj pozitivë për publikun. Por asnjë hua, sado e madhe, nuk mund të zëvendësojë faktin që tashmë është dokumentuar zyrtarisht nga vetë partneri strategjik i vendit: që pas performancës diplomatike qëndron një realitet zullumesh të konsoliduara, që as protestat dy-mujore, as seancat e mbyllura parlamentare, as raportet e reklamuara “historike” nuk mund t’i mbulojnë më.

Koha politike që Rama po blen, ditë pas dite, po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë, dhe faturën e saj, herët a vonë, do ta paguajë vetë ai. tesheshi

Related posts

Kapetanoviç hap Javën e CEFTA-s në Prishtinë, takim me Kurtin për nxitjen e tregut të përbashkët rajonal

admin

Komisioneri i OKB-së: T’i jepet fund ndalimeve ‘destabilizuese’ të të drejtave të grave në Afganistan

admin

Hapja e Urës së Ibrit, vjen reagimi i Lajçakut

admin