RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Hamasi pranon planin për çarmatimin në Gaza, zbatimi kushtëzohet me tërheqjen e Izraelit

hamasi-pranon-planin-per-carmatimin-ne-gaza,-zbatimi-kushtezohet-me-terheqjen-e-izraelit

Hamasi dhe fraksione të tjera palestineze kanë rënë dakord për një dokument që parashikon çarmatimin e tyre në Rripin e Gazës, në kuadër të një plani të ri të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e cilësoi marrëveshjen si një “hap historik” drejt paqes dhe sigurisë.

Sipas dokumentit, brenda 14 ditësh duhet të hartohet një plan i detajuar për procesin e çarmatimit, ndërsa afati mund të zgjatet vetëm me miratimin e një organi ndërkombëtar verifikues.

Anëtari i delegacionit negociator të Hamasit, Ghazi Hamad, tha se bisedimet kanë qenë të vështira, por theksoi se lëvizja nuk do ta zbatojë marrëveshjen nëse Izraeli nuk përmbush detyrimet e tij. Sipas tij, çarmatimi lidhet drejtpërdrejt me tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza dhe përparimin e procesit të rindërtimit të territorit palestinez.

Deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Izraeli.

Trump deklaroi se, pas përfundimit të çarmatimit, Izraeli do të tërhiqet nga Gaza dhe sigurinë do ta marrë një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi, e cila do të bashkëpunojë me një forcë të re policore palestineze. Ai shtoi se Gaza do të administrohet nga një qeveri e re palestineze në bashkëpunim me të ashtuquajturin “Bordi i Paqes”.

Sipas një zyrtari të këtij bordi, armët e Hamasit dhe të grupeve të tjera do t’i dorëzohen një Komiteti Kombëtar që pritet të marrë administrimin e Gazës. Fillimisht do të transferohen armët e policisë, më pas do të çaktivizohen armët e rënda, ndërsa i gjithë aktiviteti ushtarak në Gaza do të ndalet gradualisht.

Trump tha se çarmatimi do të zhvillohet në faza dhe e lidhi atë me marrëveshjen e armëpushimit të arritur në tetor për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Nga ana tjetër, Hamasi ka zhvilluar bisedime në Kajro me ndërmjetësues nga Egjipti, Katari dhe Turqia. Burime egjiptiane bëjnë të ditur se pritet të zhvillohen raunde të reja negociatash për fazën e dytë të planit, e cila përfshin vendosjen e forcave ndërkombëtare dhe fillimin e punës së Komitetit Kombëtar.

Megjithatë, grupi palestinez Xhihadi Islamik deklaroi se raportimet për një marrëveshje të plotë nuk janë të sakta dhe se ka rezerva ndaj formulimeve të dokumentit.

Sipas raportimeve, Hamasi kishte njoftuar më 6 korrik shpërbërjen e strukturës që kishte administruar Gazën për afro dy dekada.

Korrespondenti i Al Jazeera në Uashington raportoi se çarmatimi pritet të realizohet sektor pas sektori, ndërsa do të rekrutohen edhe efektivë të rinj të policisë palestineze, të cilët do të bashkëpunojnë me një forcë ndërkombëtare koordinuese, përbërja e së cilës ende nuk është përcaktuar.

Sipas të njëjtit raportim, ndaj Hamasit është ushtruar presion i konsiderueshëm ndërkombëtar për të pranuar marrëveshjen, ndërsa zyrtarë amerikanë kanë vlerësuar se plani synon krijimin e një administrate teknokrate dhe jopartiake që do të qeverisë Gazën në interes të popullsisë civile. /mesazhi

Related posts

Flotilja Globale “Sumud” do të niset nga Barcelona drejt Gazës më 29 mars me mijëra pjesëmarrës

Irfan Jahiu

Xhabir Zharku futet në listën e zezë të DASh-it

admin

Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit: Ndërhyrja amerikane do të destabilizojë rajonin

Muhamet Ramadani