Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka mirëpritur vendimin e FIFA-s për të hequr dorë nga planet për të shitur aksione të Kupës së Botës.
Kjo u arrit pas kundërshtimit të vendosur të UEFA-s, dy konfederatave tjera, shumë federatave nacionale, drejtuesve politikë dhe personaliteteve të panumërta të futbollit.
“UEFA mirëpret vendimin e FIFA-s për të tërhequr planin e saj për të shitur një pjesë të aksioneve të garave të saj, përfshirë Kupën e Botës, tek investitorët privatë. UEFA falënderon të gjithë tifozët, ligat, klubet, lojtarët, individët, shoqatat dhe konfederatat që kundërshtuan skemën, së bashku me shumë kryeministra, krerë shtetesh dhe komentatorë që i kanë demonustruar presidentit të FIFA-s se futbolli nuk është në shitje”, shkruan në komunikatën e UEFA-s të lëshuar të shtunën.
Kjo vlerësohet fitore e UEFA-s ndaj FIFA-s, përkatësisht planeve të saj.
Konfederata Evropiane ka kërkuar përgjegjësi nga ideatorët. Gianni Infantino, president i FIFA-s, qëndron pas planit për të shitur aksione.
“Nuk duhet të vazhdojmë kështu me skema sekrete në afate kohore të shpejta, të sajuara nga individë pa fytyrë dhe me përfitim të dyshimtë për lojën. Duhet të identifikojmë ata që janë përgjegjës dhe t’i mbajmë përgjegjës”, shkruan tutje UEFA.
UEFA ka thënë se do të punojë që plane të tilla të mos përsëriten më.
Sipas UEFA-s, Infantino nuk ka mbajtur premtimet për transparencë.
UEFA kërkon shpërndarje të re të parave të FIFA-s.
“Kjo është një fitore për të gjithë lojën. Por nuk duhet të jetë fundi i historisë. Propozimi është zhdukur. Detyra e rindërtimit të besimit në FIFA sapo ka filluar”, shkruan në fund të komunikatës së UEFA-s.

