RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Princesha e errësirës”: kush është taksidarja private që mbledh miliona për Trumpin

“princesha-e-erresires”:-kush-eshte-taksidarja-private-qe-mbledh-miliona-per-trumpin

Meredith O’Rourke, arkitektja e perandorisë financiare të presidentit amerikan

Që nga rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij ka arritur të sigurojë rreth 800 milionë dollarë donacione, një shifër rekord në historinë moderne të politikës amerikane.

Në qendër të këtij mekanizmi të fuqishëm qëndron Meredith O’Rourke, gruaja që vetë presidenti e ka pagëzuar me nofkën “Princesha e errësirës”.

Sipas një hetimi të publikuar nga Wall Street Journal, O’Rourke është personi përgjegjës për mbajtjen e kontakteve me drejtuesit e korporatave më të mëdha amerikane dhe me donatorët më të rëndësishëm të Partisë Republikane.

Detyra e saj është e qartë: të sigurojë sa më shumë fonde për projektet politike dhe personale të presidentit. Thuhet se Trump e telefonon pothuajse çdo mbrëmje për t’u informuar mbi ecurinë e mbledhjes së fondeve.

Për disa donatorë, kërkesat arrijnë në 5 milionë dollarë, ndërsa për të tjerë kapin shifrën e 50 milionë dollarëve. Lista e kompanive që kanë kontribuar është e gjatë.

SoftBank ka dhuruar 50 milionë dollarë për bibliotekën presidenciale në Miami, duke kërkuar që një pjesë e saj t’u kushtohet marrëdhënieve mes Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Apple ka dhënë 25 milionë dollarë për ndërtimin e sallës së re të vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Microsoft ka kontribuar me 10 milionë dollarë dhe Amazon me 5 milionë dollarë.

Edhe Meta, kompania e Mark Zuckerbergut, ka dhuruar 22 milionë dollarë për bibliotekën presidenciale. Sipas analistëve, asnjë president amerikan nuk ka ushtruar një kontroll kaq të drejtpërdrejtë mbi mbledhjen e fondeve sa Trumpi.

Në të kaluarën, korporatat i drejtoheshin kryesisht Kongresit ose lobistëve për të mbrojtur interesat e tyre. Tani, vëmendja e tyre është përqendruar drejtpërdrejt te Shtëpia e Bardhë.

Ekspertët e konsiderojnë këtë një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si funksionon politika amerikane. Ligjet aktuale nuk vendosin kufij për donacionet e destinuara për organizata jofitimprurëse, ndërsa në disa raste emrat e donatorëve nuk publikohen.

Në këtë sistem, Meredith O’Rourke luan një rol vendimtar. Ajo është personi që kontakton kompani të mëdha si Meta ose Chevron për të kërkuar financime për projekte të ndryshme.

Sipas burimeve të cituara nga media amerikane, shumë donatorë janë habitur kur, në vend të falënderimeve tradicionale nga presidenti, kanë marrë kërkesa për kontribute edhe më të mëdha.

Megjithatë, kjo qasje përfaqëson një ndryshim të madh për vetë Trumpin. Gjatë fushatës së vitit 2015, ai kishte kritikuar ashpër komitetet politike të financimit, duke i quajtur ato mashtruese.

Madje, ai kishte deklaruar se do ta financonte vetë fushatën e tij, në mënyrë që të mos varej nga donatorët e pasur.

Ndryshimi nisi të bëhej i dukshëm në vitin 2024, kur Susie Wiles, sot shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë, e bindi Trumpin që të kontaktonte personalisht mbështetësit e tij financiarë.

Një nga episodet më të përfolura ndodhi në prill të atij viti, kur gjatë një darke në Mar-a-Lago, presidenti u kërkoi drejtuesve të kompanive energjetike të kontribuonin me rreth 1 miliard dollarë.

Meredith O’Rourke është pjesë e rrethit të afërt të Trumpit që prej vitit 2015, por ndikimi i saj u rrit ndjeshëm pas zgjedhjeve të vitit 2024. Ajo jeton në veri të Floridës dhe, sipas bashkëpunëtorëve të saj, preferon të udhëtojë me makinë për gjashtë orë drejt Palm Beach-it, në vend që të përdorë avionin.

Arsyeja është e thjeshtë: gjatë rrugës ajo mund të vazhdojë të telefonojë donatorët, pa humbur asnjë minutë. Menjëherë pas fitores së Trumpit, O’Rourke nisi një fushatë të re telefonatash drejtuar financuesve më të mëdhenj të presidentit.

Dhe sipas të gjitha gjasave, kjo makineri gjigante e mbledhjes së fondeve nuk ka ndërmend të ndalet. tesheshi

Related posts

DASH: Presim nga Serbia që autorët e sulmit në Banjskë të japin përgjegjësi pa vonesa

admin

Erdoğani: Do të rrisim aftësitë parandaluese të Forcave të Armatosura Turke

Muhamet Ramadani

Kryeministri Rama merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën Kundër Antisemitizmit

Muhamet Ramadani