RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rritet në 38 numri i të vdekurve nga tërmeti i fortë në Japoninë jugperëndimore

rritet-ne-38-numri-i-te-vdekurve-nga-termeti-i-forte-ne-japonine-jugperendimore

Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi këtë javë prefekturën jugperëndimore Kumamoto të Japonisë është rritur në 38, ndërsa mijëra persona vazhdojnë të qëndrojnë në qendrat e evakuimit, raportoi të dielën media shtetërore, transmeton Anadolu.

Autoritetet thanë se kanë konfirmuar vdekjen e 36 personave, ndërsa dy vdekje të tjera janë ende duke u hetuar për të përcaktuar nëse janë shkaktuar nga tërmeti me magnitudë 7,1 që goditi të martën, raportoi transmetuesi publik NHK.

Më shumë se 9.200 persona vazhdojnë të strehohen në 210 qendra evakuimi, ndërsa mbi 3.400 shtëpi janë dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm.

Furnizimi me ujë të pijshëm mungon në më shumë se 69.000 banesa dhe biznese në Kumamoto.

Edhe institucionet shëndetësore të goditura nga tërmeti po punojnë për rikthimin në funksion.

Zyrtarët thanë se rreth 30 persona me simptoma të dyshuara të goditjes nga të nxehtit u dërguan në spital të shtunën, ndërsa temperaturat në disa pjesë të Kumamotos arritën mbi 37 gradë Celsius.

Autoritetet paralajmëruan se shkalla e plotë e dëmeve ende nuk është përcaktuar dhe se numri i ndërtesave të dëmtuara mund të rritet ndjeshëm me vazhdimin e inspektimeve.

Qeveria e prefekturës njoftoi se operacionet e kërkim-shpëtimit përfunduan të shtunën në një qendër tregtare Aeon, ku shtatë punëtorë humbën jetën dhe pesë të tjerë u plagosën nga një shpërthim që ndodhi pak pas tërmetit.

Japonia, një nga vendet më të prekura nga tërmetet në botë, ndodhet përgjatë “Unazës së Zjarrit” të Paqësorit dhe përjeton rreth 20 për qind të tërmeteve në botë me magnitudë 6,0 ose më të lartë.

Related posts

Borrell: Kërcënimet e Putinit për përdorimin e armëve bërthamore duhet të merren seriozisht

admin

Radhë të gjata në kufirin Kroaci–Mali i Zi, MEPJ-ja kërkon reduktimin e pritjeve

admin

Pesë palestinezë të vrarë nga sulmet e reja ajrore izraelite në Rripin e Gazës

RTI