Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë njoftoi se po bashkëpunon me autoritetet rajonale për të lehtësuar kalimin e qytetarëve shqiptarë në pikat kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi.
Reagimi vjen pas radhëve dhe pritjeve të gjata të krijuara gjatë sezonit turistik. Sipas ministrisë, trafiku rëndohet veçanërisht gjatë fundjavave dhe ditëve të pikut, kur një numër i madh udhëtarësh përdorin këtë korridor rrugor për të mbërritur në Shqipëri.
MEPJ-ja bëri të ditur se rreth 300 mijë shtetas shqiptarë kalojnë përmes kësaj rruge vetëm gjatë muajve të verës. Ky fluks, sipas institucionit, ushtron presion të konsiderueshëm mbi infrastrukturën dhe shërbimet kufitare të vendeve përkatëse.
Ministria theksoi se përfaqësitë diplomatike shqiptare janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përgjegjëse, me qëllim shtimin e kapaciteteve dhe përshpejtimin e procedurave të kalimit, brenda legjislacionit të secilit shtet.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe përfaqësitë tona diplomatike janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe institucionet përgjegjëse, me synimin që, në përputhje me legjislacionin dhe procedurat në fuqi në secilin shtet, kalimi i qytetarëve të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i lehtë, duke shtuar kapacitetet për të minimizuar, në masën më të madhe të mundshme, pritjet në pikat kufitare”, njofton MEPJ-ja.
Sipas MEPJ-së, vonesat në këtë korridor janë një dukuri që përsëritet pothuajse çdo verë për shkak të rritjes së ndjeshme të lëvizjeve në rajon.
Megjithatë, ministria u zotua të vijojë bashkërendimin me autoritetet e Kroacisë dhe Malit të Zi për gjetjen e zgjidhjeve praktike dhe reduktimin sa më shumë të pritjeve për qytetarët shqiptarë.
Megjithatë, shton MEPJ-ja, “kjo nuk e zbeh angazhimin tonë për të bashkërenduar veprimet me autoritetet përkatëse, për të identifikuar zgjidhje praktike dhe për të lehtësuar sa më shumë lëvizjen e qytetarëve tanë, deri në ditën kur hapësira Schengen të shtrihet tërësisht edhe në këtë pjesë të rajonit tonë”.

