Të paktën 17 palestinezë janë vrarë të dielën në sulmet izraelite në Rripin e Gazës, ndërsa bombardimet kanë vazhduar pavarësisht nismës së fundit të presidentit amerikan Donald Trump për zbatimin e armëpushimit.
Sipas burimeve mjekësore në Spitalin Al-Shifa, tre persona humbën jetën pasi një sulm ajror goditi një apartament në Kullën Al-Sousi në perëndim të Qytetit të Gazës. Viktimat janë identifikuar si Abdullah Abu Taif (33 vjeç), bashkëshortja e tij shtatzënë Abeer Anan (29 vjeç) dhe djali i tyre pesëvjeçar, Azzam.
Në një tjetër sulm ndaj një apartamenti në Al-Qarara, në veriperëndim të Khan Younisit, u vranë tre anëtarë të familjes Al-Hams: Mahmoud Al-Hams (38), bashkëshortja e tij Fatima (37) dhe vajza e tyre e mitur. Tre persona të tjerë mbetën të plagosur.
Në afërsi të Deir al-Balah, në Gazën qendrore, u vranë Kamu Abu Muailiq (68) dhe bashkëshortja e tij Huda (59), pasi shtëpia e tyre u godit nga një sulm izraelit. Në të njëjtën zonë humbën jetën edhe dy vëllezër që po udhëtonin me motoçikletë.
Në veri të Gazës, një palestinez u vra në kampin e refugjatëve në Jabalia, ndërsa më vonë dy persona, mes tyre një fëmijë, humbën jetën nga një sulm me dron ndaj një tende ku strehoheshin familje të zhvendosura në lagjen Remal të Qytetit të Gazës. Katër persona të tjerë u vranë nga një sulm ndaj një automjeti në të njëjtin qytet.
Autoritetet shëndetësore palestineze thanë se numri i viktimave gjatë së dielës ishte më i larti në javët e fundit.
Një ditë më parë, sulmet izraelite goditën depot e barnave pranë Spitalit të Dëshmorëve Al-Aqsa në Deir al-Balah. Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Munir al-Bursh, tha se shkatërrimi i furnizimeve mjekësore e kthen ilaçin dhe sëmundjen në “mjet lufte”. Sipas ministrisë, dy objekte u shkatërruan plotësisht, ndërsa dy të tjera u dëmtuan rëndë.
Gazetarët në terren raportuan se sulmi ndodhi vetëm 15 minuta pasi ishte lëshuar një urdhër evakuimi, duke dëmtuar edhe tendat ku ishin strehuar familjet e zhvendosura dhe duke shkaktuar një valë të re largimesh.
Sipas raportimeve, avionët luftarakë izraelitë kanë kryer sulme në disa zona të Gazës gjatë 48 orëve të fundit, kryesisht ndaj ndërtesave të banimit dhe zonave ku ndodheshin civilë. Izraeli ka deklaruar se objektivat përfshijnë anëtarë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura.
Sulmet vazhduan edhe pse të premten presidenti amerikan Donald Trump dhe Bordi për Paqe dhe Stabilizim Ndërkombëtar njoftuan një plan për zbatimin e fazës së ardhshme të armëpushimit në Gaza. Hamasi ka bërë të ditur se e ka pranuar planin, ndërsa Izraeli nuk ka dhënë ende një qëndrim zyrtar.
Shumë palestinezë thonë se vazhdimi i bombardimeve dhe kufizimet ndaj ndihmave humanitare e kanë bërë armëpushimin vetëm formal, pa ndikim në realitetin në terren.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në tetor të vitit 2025, të paktën 1.222 palestinezë janë vrarë dhe 4.053 të tjerë janë plagosur. Analistët vlerësojnë se presioni i Shteteve të Bashkuara mbetet faktori kryesor që mund të ndikojë në zbatimin e marrëveshjeve nga Izraeli. /mesazhi

